Aktakuza e Speciales për sulmin në Banjskë: Radoiçiqi i pagoi terroristët nga 2 mijë euro

0
99

Aktakuza që ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës kundër 45 personave për sulmin e armatosur në Banjskë, i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Kryeterroristi Millan Radoiçiq ngarkohet edhe me lehtësim dhe financim të kryerjes së terrorizmit dhe shpëlarje të parave, ndërsa Radulle Steviq dhe personi juridik RAD D.O.O. vetëm me shpëlarje të parave.

Sipas aktakuzës, grupi i Radoiçiqit, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Në aktakuzën e ngritur përmenden gjithsej 29 dëshmitarë – tre prej të cilëve janë anonimë.

Në mesin e dëshmitarëve është edhe Ema Rexhepagiq, bashkëshortja e Radoiçiqit.

Përveç pjesëtarëve policorë që ishin në detyrë gjatë sulmit, dëshmitarët e tjerë përfshijnë edhe mysafirë dhe punëtorë të hotelit dhe banjës termale “Rajska Banjska” në fshatin Banjskë.

Një dëshmitar i mbrojtur me nofkën F1, ka deklaruar se një mik i tij i ngushtë ka qenë pjesë e sulmit dhe se këtë e ka kuptuar pasi ai e ka telefonuar nga Serbia, pas sulmit.

Në aktakuzë thuhet se ai ka deklaruar se miku i tij i ka thënë që “celula ka filluar nga organizata Mbrojtja civile (Civilna Zastita), ku këta persona janë organizuar me qëllim që të krijojnë strukturë paralele me institucionet e Kosovës”.

Sipas tij, Radoiçiq i ka organizuar këta persona, “të cilët i ka ushtruar, i ka përgatitur me armatim të lehtë dhe të rëndë”.

Po ashtu, “për një kohë të gjatë, ata kanë ushtruar në Serbi” dhe “shumicën prej tyre Millani i ka paguar nga 2.000 euro në muaj, përmes parave kesh, për t’i përfshirë në këtë grup”.

Nga sulmi terrorist në Banjskë i këtij grupi të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator, 2023, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here