Një aksion i Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë i zhvilluar të mërkurën në Prizren ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të marihuanës dhe arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës. Dy të dyshuar të tjerë arritën të ikin nga Policia, teksa njëri prej tyre tashmë është dorëzuar, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi dje ekskluzivisht se personi që ra në prangat e Policisë është Emil Tarakaj, ndërsa dy personat e tjerë që ishin me të Sali Salihu dhe Ali Saramati u arratisën.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Saramati u dorëzua në Polici, ku është intervistuar lidhur me rastin dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Gjatë aksionit të Policisë, në banesën dhe veturën e të dyshuarit Tarakaj janë gjetur dhe sekuestruar mbi 12 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe një sasi e kokainës.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia në Prizren, e cila ka njoftuar se në cilësi të provave materiale ka sekuestruar edhe 3 telefona celularë, një thikë, një sprej, një veturë dhe 137 euro para të gatshme.
Tre të dyshuarit do të hetohen për veprën penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/