Aksioni kundër degradimit mjedisor në lumin Drini i Bardhë, 17 të arrestuar

0
188

Një aksion i gjerë kundër degradimit të mjedisit është zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prizren, nën udhëheqjen e kryeprokurorit Petrit Kryeziu.

Qëllimi kryesor i këtij operacioni ishte ndalimi i dëmtimit të mjedisit përgjatë lumit të Drinit të Bardhë, ku janë arrestuar 17 persona.

“Janë sekuestruar 38 mjete pune të ndryshme, me një vlerë të përgjithshme rreth 2 milionë euro. Arrestimet janë kryer në zona të ndryshme, që shtrihen nga Krusha e Vogël deri në Landovicë”, tha Kryeziu.

Ai në një konferencë për media tha se aksioni ishte rezultat i një hetimi intensiv katërmujor.

“Kemi zhvilluar hetime ndaj personave që kanë degraduar mjedisin. Këta të pandehur kanë vepruar që nga viti 2016. Asnjë prej operatorëve ekonomikë nuk kanë pasur licenca për nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit,” theksoi ai.

Kreu i organit të akuzës në Prizren theksoi përveç hetimeve të detajuara, janë përdorur edhe materiale filmike të mbledhura gjatë ditës dhe natës, të cilat besohet se do të shërbejnë si prova të forta për ndjekjen penale të të dyshuarve.

“Kemi marrë filmime ditën dhe natën, dhe besoj që kemi arritur të sigurojmë prova të mjaftueshme për t’i vendosur para drejtësisë,” deklaroi Kryeprokurori i Prizrenit para mediave.

Aksioni në fjalë konsiderohet një prej më të mëdhenjve të ndërmarrë ndonjëherë në rajonin e Prizrenit për mbrojtjen e mjedisit, dhe vjen si pjesë e përkushtimit institucional për të ndaluar dëmtimet e pakthyeshme në natyrën e vendit./Klan Kosova

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here