Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme.
Një rast i tillë u zbulua së fundmi në Prizren, teksa Policia po kryente bastisje për rastet e vjedhjeve të rënda, me ç’rast në një shtëpi gjetën dy armë ilegale.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari, Shpejtim Temo, 24-vjeçar, u arrestua nga Policia, pasi u kap me dy armë automatike AK-47, që i posedonte pa leje.
Hetimet Rajonale kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij, ku u konfiskuan armët nga zyrtarët policorë dhe më pas i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Rastin për Sinjalin e kanë bërë të ditur edhe nga Policia Rajonale në Prizren, më ç’rast është konfirmuar se i dyshuari është ndaluar, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“/Gazeta Sinjali/