Një aksion i Policisë së Kosovës në dy lokacione në qytetin e Prizrenit ka rezultuar me kapjen dhe arrestimin e dy personave të dyshuar për shitblerje dhe shpërndarje të drogës dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të disa llojeve të narkotikëve, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se Policia ka kryer bastisje në dy banesa, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme, që do të shfrytëzohen në procedurë kundër dy të dyshuarve .
Sipas informacioneve të para, Policia ka sekuestruar disa qese me marihuanë, rreth 10 të tjera me kokainë, pako me rizlla, dhjetëra euro, telefona e pajisje për përpunimin e narkotikëve. Siç mëson Sinjali, edhe një veturë e të dyshuarve është sekuestruar, e cila tashmë ndodhet në stacionin policor në Prizren.
Me t’u përfunduar aksioni, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me veprën me të cilën ngarkohen. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit njëri prej tyre është ndaluar për 48 orë, teksa veprimet e tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor.