Hetimet Rajonale në Prizren në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë zhvilluar një aksion të hënën, që rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari që ra në prangat e Policisë dyshohet për dy vepra penale “Fajde” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Siç ka bërë të ditur edhe Policia, i dyshuari F.SH., 32-vjeçar është arrestuar dhe i është bastisur shtëpia, ku janë sekuestruar dëshmi lidhur me rastin.
Personi i dyshuar është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar lidhur me veprat me të cilat ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor./Gazeta Sinjali/