Njësia Kundër Trafikimit me Narkotikë në Policinë Rajonale në Prizren, ka zhvilluar sot në mëngjes një aksion që rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar si diller, si dhe kapjen e një sasie të drogës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Antidroga ka arritur të gjejë një sasi të drogave të llojit marihuanë dhe kokainë, pas bastisjes në një lokal në rrugën “Ersan Mazreku”.
Droga e ndarë në sasi të ndryshme nëpër qese dyshohet se ka qenë e përgatitur për shitje nga i dyshuari që përfundoi në pranga.
Përveç narkotikëve, Policia ka sekuestruar edhe veturën e të dyshuarit, thikë e dëshmi tjera që do të shfrytëzohen si prova materiale.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar nga hetuesit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë./Gazeta Sinjali/