Një aksident i rëndë trafiku është regjistruar më 25.11.2025 rreth orës 12:36 në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, ku një këmbësore ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi është goditur nga një veturë që ka devijuar në trotuar.
Sipas të dhënave, i dyshuari Shyqeri Elshani, duke drejtuar automjetin VW T-ROCK në drejtim të Stacionit të Autobusëve dhe në afërsi të Gjykatës, ka kaluar me veturë në trotuar dhe ka goditur këmbësoren F.R e cila po lëvizte normalisht në hapësirën e dedikuar për këmbësorë.
Viktima ka marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes dhe më pas është transportuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtutjeshëm. Sipas raportit mjekësor, ajo ka pësuar frakturë në këmbën e djathtë dhe është hospitalizuar në repartin e ortopedisë, ndërsa gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetë.
Shoferit i është bërë alkool testi dhe ka rezultuar me 1.00 promilë alkool në gjak. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është lëshuar aktvendim për dërgimin e tij në mbajtje për 48 orë, derisa hetimet po vazhdojnë./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














































