Asociacioni i Komunave të Kosovës do ta dërgojë në gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë dhe kjo lëndë do të dorëzohet sot në ora 11:00.
Kështu bëri të ditur, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi i cili tha se nëse ndodhë një falje e tillë, komunat do të kenë humbje prej 27 milionë euro.
Ibrahimi shtoi se, kësaj kërkese i janë bashkangjitur edhe komunat e banuara nga serbët.
“Kësaj kërkese i janë përgjigjur pozitivisht edhe komunat e banuara nga serbët. Kemi Komunën e Novëbërdës, Shtërpcës, Parteshit e Graçanica”, tha Ibrahimi.
Kujtojmë se, sipas një njoftimi nga AKK thuhet se ministria e Financave, Transfereve dhe e Punës (MFTP) mori vendim që ta ndryshoj Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Palujatshme ku gjatë procesit të amandamentimit nuk konsultoi fare Komunat e Republikës së Kosovës.
“Kryetarët e Komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga niveli qendror që të konsultohet sa i përket amandamentimit të këtij ligji sepse ky ligj i prek në mënyrë të drejpërdrejtë buxhetet e Komunave”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.