Akademik Rexhep Qosja nderohet me çmimin e harruar, “Letërsia Shqipe”

0
62

“Letërsia është ngushëllim për ne, por edhe mjet shpirtëror që na ndihmon të luftojmë, pra të luftojmë për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën. Letërsia na mëson, ajo na tregon kush jemi dhe çka mund të bëjmë”, ka thënë akademik Rexhep Qosja pasi ka pranuar çmimin “Letërsia Shqipe”, të cilin Ministria e Kulturës e rikthen prej se e themeloi më 2017 për ta nderuar Ismail Kadarenë. Veprimtaria e shkrimtarit e intelektualit të shquar është çmuar me të drejtë si për rolin e një institucioni në jetën kulturore shqiptare. Por prapaskena e rikthimit të çmimit “Letërsia Shqipe”, detyrueshëm nxjerr në pah edhe mënyrën se si i bën punët Ministria e Kulturës

Ministria e Kulturës e ka ngjallur çmimin letrar “Letërsia Shqipe” pas tetë vjetësh. Këtë e ka bërë për ta nderuar akademik Rexhep Qosjen. Kabineti i ministrit Hajrulla Çeku këtë nderim e kishte menduar nëpërmjet një tjetër çmimi, por gjatë rrugës s’kanë pasur tjetër mundësi pos të rikthejnë çmimin me të cilin – në vitin e themelimit më 2017 – ishte nderuar Ismail Kadareja. Më nuk ishte dhënë asnjëherë. Madje, ishte themeluar për Kadarenë. 

Në ceremoninë e ditës së martë është ndarë edhe çmimi për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet tjera vjetore në fushën e letërsisë. 

Me çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” është nderuar shkrimtari Bajram Kosumi, kurse Ballsor Hoxha ka marrë çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, për përmbledhjen e tregimeve “Kratere njerëzish”.

Çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” e ka marrë Donika Dabishevci për librin me poezi “E gjithëkohshmja andërr”. Çmimin për letërsinë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” e ka marrë Dije Demiri për librin “Ama dorën”, përderisa çmimin për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” është ndarë midis dy studiueseve: Eronita Kqiku për librin “Arti i brikolazhit” dhe Meliza Krasniqi për librin “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990”.

Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” e ka marrë Lorenc Hajdari, për përkthimin e librit me poezi “E thëna figurativiste”, të autores gjermane Ulla Hahn.
Në konsultim me ministrin e Kulturës juria në përbërje të kryesueses Majlinda Bregasi dhe anëtarëve Entela Tabaku, Blerina Rogova-Gaxha, Hysen Matoshi dhe Shpëtim Selmani i kishte propozuar ministrit Hajrulla Çeku që çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli” t’ia ndante akademik Rexhep Qosjes. Por administrata e Ministrisë së Kulturës pos befasimit nga një rast i tillë, edhe kishte kundërshtuar shkaku i procedurës që përcakton Rregullorja për ndarjen e çmimeve në letërsi. Sipas Rregullores për të qenë laureat i “Azem Shkrelit” duhet që gjatë periudhës sa është e hapur thirrja, kandidati të propozohet nga ndonjë institucion. Akademik Qosja nuk ishte propozuar nga askush. Madje KOHA ka marrë vesh se Qosjes i ishte bërë e ditur se është laureat. Meqenëse ministri Çeku do të shkelte Rregulloren – të cilën me propozimin e bërë, anëtarët e jurisë veç e kishin shkelur – administrata e MKRS-së do të gjente zgjidhjen: kthimin e çmimit “Letërsia Shqipe”. Dhe kësisoj, çmimi që i ishte ndarë Ismail Kadaresë më 6 prill 2017, tash ka një laureat të dytë. Ky çmim ishte themeluar nga ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala më 14 mars të 2017-s duke ndryshuar Rregulloren e çmimeve të letërsisë. Qe themeluar si çmim me karakter ndërkombëtar për t’iu ndarë personaliteteve të cilët, me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë, përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare. Ka peshë financiare prej 10 mijë eurosh. Pas vitit 2017, MKRS-ja vazhdimisht e ka anashkaluar këtë çmim. Por e nxori prapë në pah me akademik Qosjen. Sipas Rregullores, ministri i Kulturës e ndan këtë çmim në konsultim me Këshillin e Librit. Në ceremoni ka qenë e pranishme edhe Nerimane Kamberi, anëtare e Këshillit të Librit. 
Në Raportin e Jurisë për ndarjen e çmimeve letrare gjendet propozimi për akademik Qosjen. Juria në këtë dokument zyrtar të nënshkruar nga të gjithë anëtarët, çmimit “Letërsia Shqipe” i referohet si “Çmimi për letërsi” që realisht nuk ekziston. 

“Letërsia shqipe, në dimensionet shumëplanëshe të krijimtarisë letrare dhe të mendimit historiko-letrar e kritik letrar, e ka akademik Rexhep Qosjen shenjën më përfaqësuese të identitetit të saj. Romanet dhe dramat e tij janë prurje që ndryshojnë rrjedhën letrare shqipe të kohës, e shkëpusin atë nga konformizmi mbizotërues i poetikës së realizmit socialist duke qëndruar gjithnjë në kërkim të dimensioneve të reja estetike moderne, shprehëse, strukturore dhe përmbajtjesore”, shkruhet në motivacionin e jurisë të lexuar në ceremoni nga ministri Hajrulla Çeku. Sipas motivacionit, me veprën letrare dhe me veprimtarinë e tij shkencore Rexhep Qosja e ka luajtur rolin e një institucioni në jetën kulturore shqiptare dhe ka krijuar një bibliotekë të literaturës shkencore albanologjike, historiko-letrare, kritiko-letrare, publicistike memoaristike, historiografike, duke përfaqësuar njëkohshëm edhe një zë të fuqishëm intelektual si protagonist aktiv dhe kreativ në proceset e vështira të ndryshimeve të mëdha shoqërore në botën shqiptare. 


I lindur në Vuthaj të Malit të Zi më 1936, akademik Qosja gjysmë¬maturën do ta përfundonte në Guci. Sipas biografisë së tij, më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gju¬hës dhe të Letërsisë Shqipe të Fa¬kultetit Filozofik të Prishtinës, ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albano¬logjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967 dhe 1968 specializoi shkencën e le¬tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Univer¬sitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Al¬banologjik, si dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare “Jeta e Re”. Akademik Qosja është autor i mbi 30 librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me shumë çmime deri te ai “Nderi i Kombit” nga Republika e Shqipërisë. 

Akademik Qosja në fjalën e tij në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Letërsia Shqipe” ka thënë se roli i letërsisë në këtë kohë është shumë i rëndësishëm. 

“Në kohën në të cilën po jetojmë bota po përjeton ndryshime të shpejta, kur e kur shqetësuese apo madje edhe të frikshme, letërsia është ngushëllim për ne, por edhe mjet shpirtëror që na ndihmon të luftojmë, pra të luftojmë për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën. Letërsia na mëson, ajo na tregon kush jemi dhe çka mund të bëjmë”, ka thënë Qosja midis të tjerash. Jo larg tij ka qenë i ulur Bajram Kosumi. Meqenëse Kabineti i ministrit të Kulturës donte që laureat i çmimit kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” të ishte akademik Qosja, por kjo qe e parealizueshme, juria që fillimisht kishte propozuar Qosjen, më vonë kishte marrë vendim për Kosumin. 

Me çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” është nderuar shkrimtari Bajram Kosumi (Foto: MKRS) 
 

I lindur më 20 mars 1960 në Tuxhec të Kamenicës, Kosumi, profesor universitar e për një mandat edhe rektor i Universitetit të Gjilanit, “Kadri Zeka”, për një vit nga marsi i vitit 2005 deri në marsin e vitit 2006 ishte kryeministër i Kosovës. Sipas biografisë së tij që gjendet në ueb-faqen e Kosumit, profili krijues i tij mund të ndërtohet në katër vija paralele. 

“Në vijën e parë është profili prej veprimtari liridashës dhe politikani, në vijën e dytë është profili prej publicisti, në vijën e tretë është profili prej shkrimtari dhe hulumtuesi shkencor dhe në vijën e katërt është profili i tij prej edukatori dhe drejtuesi në arsim e shkencë”, shkruhet aty. Është autor i disa veprave të zhanreve të ndryshme.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve letrare, Kosumi ka thënë se investimi në letërsi është strategji me vend. 

“Letërsia dhe artet e bëjnë njeriun më të mirë, e bëjnë njeriun më humanist dhe e bëjnë njeriun më vizionar. Prandaj investimi në letërsi është një strategji për ta fituar dhe për ta ruajtur mirësinë e njeriut, humanizmin e njeriut dhe luftën për liri”, ka thënë midis të tjerash Kosumi. 
Çmimi për vepër jetësore ka vlerë financiare prej 5 mijë eurosh e çmimet e tjera nga 2 mijë e 500 euro. Tradicionalisht MKRS-ja këto çmime i ka ndarë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt, por viteve të fundit është thyer tradita. Këto çmime jepen si mirënjohje e përkrahje për krijuesit letrarë./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here