Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar dëshminë e ish-diplomatit amerikan Christopher Hill në Hagë, duke vlerësuar se ajo ka treguar dëlirësinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë.
Në profilin e tij në Facebook, Ahmeti ka shkruar se pas këtyre konfirmimeve nga autoritetet e larta amerikane, mbetet vetëm vendimi përfundimtar meritor, i cili duhet të nënkuptojë liri për çlirimtarët.
“Dëshmia amerikane në Hagë dëshmon dëlirësinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë. Edhe Ambasadori Christopher Hill, njohës i shkëlqyer i rajonit, gjatë dëshmisë së kësaj jave në Hagë konfirmoi që vetëm kryekrimineli Sllobodan Millosheviq e konsideronte UÇK-në si kriminele dhe askush tjetër. Kjo vërteton edhe deklaratat tona se çlirimtarët tanë po gjykohen me akuzë të sajuar në Beograd me porosi nga Moska. Pas këtyre konfirmimeve nga autoritetet e larta amerikane dhe pas asaj që do të prezantohet javën që vjen nga Gjenerali Wesley Clark, mbetet vetëm vendimi përfundimtar meritor, liri për çlirimtarët!”, ka shkruar Ahmeti.














































