Ftesa e bërë nga Ambasada Amerikane për të biseduar në lidhje me Asociacionin ka arritur të sjellë debate në opinonin publik.
Ftesë e cila nuk iu bë kryeministrit Kurti, ka ngjallur edhe më shumë reagime.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi.
Ai u shpreh se Escobar duhët të i vë kushte edhe Serbisë dhe jo vetëm Kosovës, përcjell “Bota sot”.
Sipas veprimtarit, qasja ndaj Kosovës është e pakapshme dhe se në këtë pikë nuk po dënohet agresori.
Ndër të tjera, veprimtari thotë që Amerika na çliroi bashkë me UÇK-në, ajo na ruan qe 23 vite, dhe mbetet shpresa e vetme dhe aleatja e pa kontestuar e vendit tonë.
Postimi i plotë
Zoti Gabriel Escobar, veni kushte edhe Serbisë pse veç Kosovës
Z. Escobar, kur u zgjodhët si i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, shqiptarëve ua ngjalle shpresat, sepse disa të krahasonin me Holbruk-un, buldozerin e diplomacisë amerikane gjatë viteve të 90-ta që përdori diplomacinë “take it or leave it”, që atë kohe besohej se funksionoi, por në fakt ai krijoi një shtet që s’funksionoi dhe vazhdon të vuaj edhe sot, dhe shpresoj që kjo përvojë t’ju ndihmoj.
Ne nuk e pritëm qasjen tuaj të ashpër ndaj Kosovës krahasuar me Serbinë. Është e pakuptueshme si mund t’i veni kushte viktimës, Kosovës, por jo dhe agresorit Serbinë, që u shkaktoi shqiptarëve katër gjenocide gjatë 120 viteve të fundit: 1877-78, 1908-20, 1941-45, 1997-99!
Z. Escobar, ne nuk dëshirojmë që të aplikohet qasja Grenellit edhe njëherë, paraardhësi juaj përdori bullizmin për të diktuar politikën, përdori frikësimin, dhe kur kjo nuk funksiononte, ai përdori grusht shtetin duke sjell në pushtet njerëz ilegjitim, derisa, të gjitha marrëveshjet në kohë të tij dështuan sepse as ju s’e kërkoni implementimin e tyre.
Z Escobar, mos e sakrifikoni Kosovën që të keni Serbinë në anën perëndimit, qëllimi duhet të jetë i pastër dhe i ndershëm, që agresorin ta dënoni dhe jo ta shpërbleni. Është e padrejte të sakrifikohet Kosova dhe të mbetet jofunksionale për shkak të gjeopolitikës apo për hire të botës serbe që është burimi i krizave!
Z. Escobar, e dëgjova zërin tuaj qortues në një intervistë kur kërkonit më shumë të drejta për 60 mijë serbë në veri, por s’i zutë në gojë shqiptarët në Luginë, që janë sa dyfishi i serbëve në veri, po ata a duhet të kenë asociacion? A ka asociacion të komunave boshnjake, hungareze, rumune në Serbi, a ka asociacion në Mal të Zi, po në MV me 800 mijë shqiptarë, a ka ‘zajednicë’ shqiptare atje?
Pse ky qëndrim i butë ndaj Serbisë agresore , ajo nuk dënohet si humbëse, as kur s’i ven sanksione Rusisë. Por, ndodh e kundërta, Serbia shpërblehet me investime, me donacione, dhe me ato para të BE-së dhe SHBA-së ajo shkon e blen sisteme armësh ruse e kineze.
Z. Escobar, pse zgjodhët metodën e kërcënimit për qeverinë legjitime të Kosovës, se nëse nuk krijohet Asociacioni ju paskeni alternativa të tjera, njerëz tjerë, që i keni ftuar dhe i ftoni për së dyti në DC, dhe keni ndarë shkopinj e karota konform nevojave tua në teren. Pyetja ime për ju është, a kanë legjitimitet ata që janë në gjendje të nënshkruajnë çdo gjë vetëm që të vinë në pushtet.
Zoti Escobar, ju e dini më mirë se çdokush, se Kosova është shtet i pavarur fal SHBA-ve në rend të parë, sepse ajo është donatorja me e madhe, ajo krijoi Policinë e Kosovës, trajnon ushtrinë e saj, dhe e ruan Kosovën 24 orë në ditë që nga 1999-ta. Ju keni obligim profesional si diplomat, që pa presione të njëanshme, të shtyni proceset përpara, pas aq shumë investimeve e sakrificash të taksapaguesit amerikan, që e bënë Kosovën një tregim suksesi.
Z. Escobar, edhe SHBA, vendi im e i yti, ka pas situata kur është tërheq nga marrëveshjet ndërkombëtare ligjërisht të detyrueshme, kur është cenuar interesi amerikan, dhe tërheqjet janë bazuar në ligjet amerikane dhe jo ndërkombëtare, sepse interesin amerikan mund ta mbroj vetëm Amerika dhe jo një shtet tjetër. E mbani mend kur vendi ynë, SHBA-ja, u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit më 2017, por Presidenti Biden sërish iu kthye më 2021. Në tetor 2018 administrata e Trump-it u tërhoq nga 4 marrëveshje ndërkombëtare, po ashtu, tërheqje nga Marrëveshja Bërthamore me Iranit, dhe lista është e gjatë. Pse Kosova s’ka të drejtë të tërhiqet nga marrëveshjet e dëmshme po ashtu?
Z Escobar, ne jemi të brengosur, kur ju kërcënoni me “alternativca” dhe kjo nuk të bënë nder, sepse kjo formë e presionit bie ndesh me principet demokratike amerikane, bie ndesh me punën dhe sakrificën e dhjeta mija ushtarëve amerikanë dhe miliardave të harxhuara, djersë e taksapaguesve tanë amerikanë.
Z. Escobar, unë jam një shqiptaro-amerikan, një optimist i brengosur dhe e konsideroj të padrejtë qasjen kur vetëm Kosovës i veni kushte jo dhe Serbisë, ky nuk është një sinjal i mire për marrëveshje përfundimtare kur palët nuk janë të barabarta.
Për fund, kam edhe një mesazh për ata politikanë që kërkojnë kompromise vetëm për të ardhur në pushtet dhe ta ribëjnë tradhtinë si paraardhësit e tyre. Ky do të ishte një presedan i kobshëm për situatën e përgjithshme në Kosovë.
Dhe, porosia për një grup njerëzish të frustruar që në vendëse të fajësojnë fajtorët e vërtetë për mossukseset tona, ata fajësojnë Amerikën padrejtësisht. Ndodh që edhe Amerika të ketë diplomatë të paaftë dhe armiqesor ndaj nesh, si puna e Grenell-it, por ata janë inpidë, ata nuk jane Amerika.
Disponimi antiamerikan eshte akt i mbrapshtë çon ujë në mulli të hasmit. Amerika na çliroi bashkë me UÇK-në, ajo na ruan qe 23 vite, dhe mbetet shpresa e vetme dhe aleatja e pa kontestuar e vendit tonë, besoni, se ajo në momente kritike do të jetë pranë nesh, ashtu si përherë. Zoti e bekoftë Amerikën dhe ata shqiptarë që punojnë për atdhe!