Afro 50.000 euro përfitoi nga Komuna, Arben Shala “trikaxhiu” i Komisonit përzgjedhës për drejtorë shkollash të Prizrenit

0
521

Arben Shala, i përfolur në medie për dyshime rreth kurdisjes në konkurs për drejtorë shkollash, duke qenë pjesë e Komisionit përzgjedhës, ka përfituar afro 50 mijë euro nga Komuna e Prizrenit.

Këto shifra dalin nga publikimet e subjekteve opozitare, duke e vlerësuar këtë si kundërshpërblim të Shalës për “shërbimin” ndaj pushtetit, por në dëm të arsimit.

Herën e parë Shalës i janë ndarë në formë subvencioni 14 mijë euro, për shoqatën Plan, të cilën sapo e kishte regjistruar,  diku në mars të vitit 2022,  atëherë kur ishte propozuar nga Drejtoria për Arsim, në panelin përzgjedhës për drejtorë shkollash, si përfaqësues nga shoqëria civile.

Një vit më parë, LDK pati reaguar se Komuna e Prizrenit ia dha tenderin afro 25.000 eurosh, operatorit anonim “Consulting and Menagement Group”, për projektin “Hartimi i planit për zhvillimin e arsimit në Komunën e Prizrenit”, ku figuronte numri i telefonit të Arben Shalës.

Ditë më parë, kuvendarja e Vetëvendosjes në Prizren, Dafina Alishani, njoftoi se Arben Shala përfitoi 10 mijë euro subvencione me OJQ-në e tij PLAN, nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport pa raport financiar, duke kërkuar hetime nga organet.

“Qeverisja Totaj ka dhënë subvencione tek aplikuesit të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për aplikim. Shikoni në dosjen e aplikimit se çka shkruan dhe pse refuzohet! Dikush duhet të merret me këtë rast dhe ti dërgoj këta trikaxhinjët aty ku e kanë vendin”, shkroi ajo në “facebook”.

Në total del se Shala i përfitoi rreth 49 mijë euro nga Komuna e Prizrenit, brenda dy vitesh.

Propozimi për formimin e komisionit të ri përzgjedhës për drejtorë shkollash të komunës, ku bënte pjesë Shala, në një mbledhje të Kuvendit Komunal (KK), në shtator,  pati shkaktuar reagime të forta tek kuvendarët opozitarë, me arsyetimin se ai është komplet i varur prej politikave të pushtetit dhe assesi i pavarur.

Në një audio-incizim të publikuar kohë më parë, nga Gazeta Insajderi, Shala dëgjohej derisa fliste për rastin e përzgjedhjes në konkurs për drejtor, e ku përmendeshin edhe trikat gjatë përzgjedhjes. Asambleistja Alishani tha se opozita nuk i ka harruar manipulimet e bëra dhe assesi nuk i do këta njerëz, që kanë bërë marrëveshje me pushtetin. /Gazeta e Prizrenit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here