Kandidatja për deputetë nga “Koalicioni për Familjen”, Afërdita Saramati vizitoi Kooperativën Bujqësore “Krusha, e cila udhëhiqet nga Fahrije Hoti.
Gjatë takimit, ajo u njoh me prodhimet që tashmë eksportohen në tregjet evropiane dhe dëgjoi historitë frymëzuese të grave që kanë përballuar dhimbjet e historisë.
Diskutimet u fokusuan në mbështetjen e bujqve lokalë dhe fuqizimin e familjeve rurale, teksa Saramati premtoi angazhim për rritjen e përkrahjes shtetërore për të pagjeturit, bursat për familjarët e viktimave dhe kuota të veçanta punësimi.
Postimi i plotë i Saramatit:
Së bashku me bashkëpunëtorët e mi, pata privilegjin të njihem nga afër me forcën dhe përkushtimin e grave që kanë përballuar dhimbjet më të thella të historisë sonë.
Procesi i prodhimit, organizimi dhe arritjet e këtyre grave na frymëzuan pa masë. Prodhimet e tyre, të cilat tashmë kanë depërtuar në tregjet evropiane, dëshmojnë jo vetëm për cilësinë dhe përkushtimin në punë, por edhe për fuqinë dhe qëndresën e një shpirti të pathyeshëm.
Gjatë kësaj vizite, dëgjuam historitë e tyre të jashtëzakonshme dhe diskutuam kërkesat për mbështetje më të madhe për bujqit lokalë. Kjo na bëri të kuptojmë edhe më thellë rëndësinë e përkushtimit institucional për zhvillimin e zonave rurale dhe fuqizimin e familjeve që mbajnë mbi supe barrën e historisë sonë. Ndihma ndaj bujqve lokalë nuk garanton vetëm prodhime të freskëta dhe cilësore për kooperativën, por edhe siguron një bazë të qëndrueshme ekonomike për këto familje.
Në legjislacionin e ardhshëm, do të angazhohemi për:
Të pagjeturit dhe viktimat e luftës – duke rritur përkushtimin shtetëror për të ndriçuar fatin e tyre dhe për të mbështetur familjet që presin drejtësi.
Bursa për familjarët e tyre – për të garantuar që brezi i ri i këtyre familjeve të ketë mundësi të arsimohen dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.
Kuota të veçanta punësimi – për të siguruar qasje në mundësi të barabarta dhe trajtim dinjitoz për gratë dhe të rinjtë e këtyre familjeve.
Suksesi i grave të Krushës është dëshmia më e mirë se, me mbështetjen e duhur, dhimbja dhe humbja mund të kthehen në forcë. Ky model frymëzues duhet të mbështetet nga politika dhe të promovohet si shembull për të gjithë vendin.
Eman Rrahmani 1✔️
Aferdita Saramati 12✔️