Adoleshentët kanë nevojë për një rutinë para gjumit pa teknologji

0
81

Një sfidë e përnatshme për shumë prindër është përballja me rezistencën e adoleshentëve për të lënë telefonin dhe për të shkuar në shtrat. Por sipas ekspertëve, përmirësimi i zakoneve të gjumit tek të rinjtë është çelësi për shëndetin e tyre mendor, emocional dhe fizik.

“Rutinat para gjumit nuk janë vetëm për fëmijët e vegjël,” thotë Denise Pope, pedagoge në Universitetin Stanford dhe eksperte në zhvillimin e fëmijëve. Ajo thekson se edhe adoleshentët kanë nevojë për struktura të qarta dhe një ambient të favorshëm për gjumë cilësor.

Hapi i parë për një gjumë më të mirë? Heqja dorë nga teknologjia. Telefonat, tabletët dhe ekranet e tjera dëmtojnë cilësinë e gjumit, duke penguar çlirimin e melatoninës – hormoni që nxit ndjesinë e përgjumjes. Ekspertët rekomandojnë të shmanget përdorimi i pajisjeve elektronike një orë para gjumit dhe të zëvendësohen me aktivitete si leximi apo një dush relaksues.

Për të ndihmuar adoleshentët të kalojnë në një rutinë më të shëndetshme, prindërit duhet të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për gjumë: dhomë të errët, të qetë dhe me temperaturë të freskët. Gjithashtu, shmangia e kafeinës dhe pijeve energjike në mbrëmje është thelbësore.

Por mungesa e gjumit nuk është thjesht një çështje lodhjeje. Ajo lidhet me probleme të theksuara emocionale dhe shëndetësore. “Privimi i gjumit mund të manifestohet në nervozizëm, impulsivitet, depresion apo mungesë motivimi,” thotë psikologia klinike Wendy Troxel. Ndërkohë, neurologia Joanna Fong-Isariyawongse identifikon “mëngjesin zombie” si një sinjal alarmi për mungesën kronike të gjumit.

Ekspertët theksojnë rëndësinë e edukimit të vetë adoleshentëve mbi pasojat e gjumit të dobët. Studimet tregojnë se mungesa e gjumit lidhet me rritjen e rrezikut për ankth, depresion, mendime vetëvrasëse, vendime impulsive, dhe aksidente rrugore. Madje, drejtimi i përgjumur rezulton të jetë më i rrezikshëm për adoleshentët se sa drejtimi nën ndikimin e alkoolit.

Për t’i bindur adoleshentët, thjesht urdhërat nuk mjaftojnë. “Fëmijët duhet të kuptojnë se gjumi ndikon në trurin e tyre, emocionet, dhe performancën fizike,” përfundon Kyla Wahlstrom, eksperte e gjumit. Vetëm përmes vetëdijes dhe bashkëpunimit, mund të ndërtohen zakone të shëndetshme që zgjasin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here