Ademi: Kosova është një kombëtare e bashkuar dhe krenaria për fanellën është mbi gjithçka tjetër

0
305

Një ditë pas humbjes nga Rumania, ka reaguar edhe kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ademi ka thënë se dëshira dhe vullneti, jo vetëm i futbollistëve por i të gjithëve në federatë, përfshirë edhe tifozët ishte që dy ndeshjet e këtij muaji t’i mbyllnin me rezultate pozitive. Po ashtu, ai ka folur edhe për ndërprerjen e ndeshjes në Bukuresht për 50-të minuta, shkaku i mesazhit të shpalosur “Kosova është Serbi”.

Ai tha se e gjithë kjo ndikoi tek ekipi i Kosovës, ndërsa shtoi se ishte insistimi i arbitrit për ta rifilluar ndeshjen.

“Përderisa kundër Zvicrës, si njëra prej top-ekipeve kombëtare të Evropës, arritëm të shkëpusim një pikë, kundër Rumanisë nuk ia arritëm këtij qëllimi, për shumëçka që prodhoi kjo ndeshje. Provokimi i rëndë nga tifozëria rumune shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes për një periudhë të gjatë. Ndeshja rifilloi me insistimin e gjyqtarit pas tërheqjes së pankartave diskriminuese e raciste ndaj vendit tonë, ndonëse thirrjet e kohëpaskohshme kundër futbollistëve dhe shtetit tonë vazhduan”, ka shkruar Ademi. “I gjithë ky episod ndikoi pashmangshëm tek ekipi ynë.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte në fund të pjesës së parë gjyqtari e përjashtoi nga loja sulmuesin tonë, duke bërë që tek kundërshtari të kalojë edhe epërsia numerike”.

Përkundër humbjes, Ademi ka thënë se Kosova do të jetë më e bashkuar se kurrë dhe më e fortë, ndërsa ka shtuar se as sukseset nuk do të vonojnë shumë.

“Sidoqoftë kjo humbje, e ndikuar prej këtyre faktorëve nuk do të na zmbraps. Përkundrazi ajo të na bëjë më fortë e më të bashkuar. Kemi lojtarë përplot talent e entuziazëm për ta dhënë më të mirë e tyre për atdheun dhe pa dyshim se sukseset nuk do të vonojnë. Jemi krenarë pafundësisht me këta djem të artë, të cilët nuk rreshtin së luftuari për këtë fanellë e për shtetin tonë, ndonëse në rastet kur mungojnë rezultatet kritikat ndaj tyre janë të ashpra e të pamatura nga një pjesë e opinionit”, ka vazhduar ai.

Ai ka thënë se është i përkushtuar ndaj zhvillimit të futbollit të Kosovës dhe mbështet lojtarët tanë në çdo moment, pavarësisht sfidave që mund t’i kenë. Ka shtuar se Kosova është një kombëtare e bashkuar dhe krenaria për fanellën është mbi gjithçka tjetër. Ademi ka thënë se Kosova mbetet e vendosur për ta përmirësuar lojën e saj, ndërsa drejtësinë do ta kërkoj në UEFA dhe CAS pasi diskriminimi dhe huliganizmi nuk kanë vend në futboll.

“Ne mbetemi të vendosur për të përmirësuar lojën tonë dhe për të arritur suksese në nivel ndërkombëtar. Këto sfida na forcojnë dhe nuk do të na pengojnë të ecim përpara. Ne, do të kërkojmë drejtësi dhe respektim të rregullave të “fair-play-it” në futboll përpara organeve të UEFA-s dhe në CAS.

Diskriminimi dhe huliganizmi nuk kanë vend në futbollin modern dhe ne jemi të vendosur të mbrojmë integritetin e lojës”, ka mbyllur postimin e tij Ademi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here