Kandidati për kryetar të Prizrenit nga LVV, Artan Abrashi, reagoi pas deklaratave të Shaqir Totajt, duke theksuar se programi i tij është bazuar mbi nevojat reale të fëmijëve dhe të rinjve, transmeton 04 Online.
Abrashi sqaroi se futbolli si aktivitet jashtëmësimor dhe Ligat shkollore do të jenë pa kosto për prindërit, ndërsa Qendra e Inovacionit synon qasje të barabartë dhe shpërndarje të aktiviteteve rinore nëpër lagje.
Reagimi i plotë i Artan Abrashit
z.Shaqir Totaj doli publikisht me deklarata të pasakta, duke treguar hapur mungesën e njohurive për projektet tona. Ai tha se nuk jam në rrjedha me ndodhitë në sport.
Por si duket, sa herë që ne përmendim diçka falas dhe për krejt qytetarët ai menjiher reagon, Totaj nuk arrin të bëjë dallimin mes koncepteve elementare.
E vërteta është krejt ndryshe: programi ynë është i ndërtuar pikërisht mbi gjendjen faktike dhe nevojat reale të fëmijëve dhe të rinjve në Prizren.
Futbolli si aktivitet jashtëmësimor – Ne nuk flasim për liga rajonale, por për aktivitete brenda shkollave. Kjo është nisma jonë, sepse çdo prind nuk ka mundësi të paguajë 40 euro në muaj për shkolla futbolli për fëmijët e tyre.
Me programin tonë, secili fëmijë e ka mundësinë të nisë nga e njëjta pikë, për kënaqësi, zhvillim personal dhe shëndet. Dhe po, kjo është edhe mënyra më e drejtë për të zbuluar dhe përkrahur talentët e rinj.
me DKA do të zhvillojmë Ligat shkollore – që janë koncept krejt tjetër nga ligat rajonale që përmend Totaj. Këtu bëhet fjalë për edukim, për komunitet dhe për krijimin e një kulture sportive brenda shkollave, me 0 kosto për prindërit.
Qendra e Inovacionit – nuk është një objekt i izoluar, por një koncept gjithëpërfshirës. Ne flasim për decentralizim të aktiviteteve rinore, shpërndarjen e tyre nëpër lagje, dhe qasje të barabartë për të gjithë të rinjtë e qytetit.
Pra, për publikun është e qartë: çdo herë që Totaj tenton të sulmojë projektet tona, vetëm sa e nxjerr në pah mosdijen dhe paaftësinë e tij për të kuptuar vizionin tonë për Prizrenin.
#ArtanAbrashi#Prizreni365#VETEVENDOSJE