Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në prag të ditës së zgjedhjeve, duke e cilësuar 12 tetorin si ditën e ndryshimit për Prizrenin, shkruan 04 Online.
Abrashi ka theksuar se pas katër vitesh ngecje dhe keqqeverisje, ka ardhur koha që qyteti t’i rikthehet qytetarëve, përmes një qeverisjeje që punon me përkushtim dhe transparencë.
“Nesër është dita e ndryshimit në Prizren! Pas katër vitesh ngecje dhe keqqeverisje, është koha ta kthejmë qytetin në duart e qytetarëve. Ne kemi plan konkret për zhvillim,” ka deklaruar Abrashi.
Ai ka paraqitur disa nga prioritetet kryesore të programit të tij qeverisës, duke përfshirë ndërtimin e 6 çerdheve të reja publike dhe modernizimi i shkollave me teknologji digjitale, tunelin e Bajrit dhe Unazën e Qytetit për t’i dhënë fund kaosit në komunikacion, banesa sociale, mbështetje për nënat e reja dhe kujdes shëndetësor në çdo lagje e fshat, përkrahje për bizneset, bujqit dhe zanatlitë, që bereqeti të kthehet në çdo familje, zhvillim të kulturës, turizmit dhe sportit që e bëjnë Prizrenin qytet frymëzues.
Në përmbyllje, kandidati i Vetëvendosjes u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshimin e vërtetë.
“Mjaft me premtime boshe – Prizreni meriton punë, jo propagandë. Më 12 tetor, voto 105, për një qeverisje që punon 365 ditë në vit për qytetarët,” ka theksuar Abrashi.