Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka zhvilluar një takim me banorët e Korishës, shkruan 04 Online.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili i dha përkrahje të fuqishme kandidaturës së Abrashit për zgjedhjet e 12 tetorit.
“Faleminderit Korisha për mbështetjen madhështore! Sonte, bashkë me mikun Glauk Konjufca, u pritëm ngrohtë nga banorët që mezi po e presin fitoren e 12 tetorit në Prizren. Energjia dhe përkrahja juaj janë garancia më e fortë se ndryshimi është i pashmangshëm.,” – deklaroi Abrashi.
Ai theksoi se kjo përkrahja e fuqishme është dëshmi se qytetarët e Prizrenit janë të gatshëm për një qeverisje të re, që do t’i japë fund neglizhencës dhe do të vendosë punën, transparencën dhe zhvillimin në qendër të prioriteteve komunale.
Sipas Abrashit, vizioni i Lëvizjes Vetëvendosje për Prizrenin është ndërtimi i një qyteti funksional, të zhvilluar dhe të drejtë, ku çdo lagje dhe çdo fshat trajtohet me barazi dhe respekt.