Deputeti i LVV-së në Kuvendin e Kosovës që vjen nga Prizreni, Artan Abrashi ka thënë se Komuna e Prizrenit po rrënohet nga brenda.
Këtë qëndrim Abrashi e ka dhënë përmes një shkrimi në profilin e tij në ‘Facebook’, duke i reaguar kryetarit të kësaj Komune, Shaqir Totaj pas deklaratave të këtij të fundit se qeveria qendrore ka bërë zero investime për Prizrenin dhe se nuk ka as bashkëpunim me pushtetin lokal.
Abrashi njëherit në reagimin e tij ka thënë se pushteti lokal po përjeton fiasko me suficit rekord.
“Nëse nuk e llogarisim rrugën Prizren-Tetovë me vlerë prej 150 milion euro, investimet dhe planifikimet e Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit, MMPH, MINT… janë mbi 50 milion euro për Prizrenin. Këto investime qeverisja më e dobët komunale e Prizrenit ndonjëherë, nuk i sheh as në ëndrrat e saja më të çmendura.
Përderisa Komuna e Prizrenit, e cila po rrënohet nga brenda përjeton fiasko me suficit rekord, dështime të realizimit të premtimeve, projekte të cilësisë së dobët, manipulim të tenderëve, abuzim me pronë publike, nepotizëm e korrupsion… për mbulimin e skandaleve paska gjetur fajtorin kujdestar: Qeverinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e Abrashit./04 Online