Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka komentuar takimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe akter tjerë politikë për të diskutuar lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Abrashi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se emisari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po mban premtimin e kryeministres serbe, Ana Brnabiç, që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet deri në fund të janarit.
“Takimi të marten në ambasadë amerikane në Prishtinë po mbahet në ditën e fundit të janarit, sepse Escobar i ka premtuar Brnabiç-it që deri në fund të janarit do ta detyrojë Kosovën ta diskutojë ASMM”, ka shkruar ai në Facebook.
Kujtojmë se kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk është ftuar në takimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, ku do të diskutohet më në detaje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se ka pritur nga diplomati amerikan që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet.