Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka bërë publik zotimin e tij për zgjidhjen përfundimtare të problemit të ujit të pijshëm në qytet dhe fshatra në këtë komunë, shkruan 04 Online.
Sipas Abrashit, 20 milionë euro do të investohen në katër vitet e ardhshme për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, çdo ditë dhe gjatë gjithë vitit. Ai tha se një pjesë e madhe e investimeve do të fokusohet në rinovimin e rrjetit ekzistues, sidomos në lagjet që kanë pasur probleme të vazhdueshme me mungesën e ujit, si Ortakoll, Jeta e Re, Arbana, Kurillë dhe Hoqë e Qytetit.
“Do të sigurojmë burime të reja për mbi 30 mijë banorë dhe do të zgjerojmë impiantin e ujërave të zeza, për të mbrojtur shëndetin dhe mjedisin tonë,” ka deklaruar Abrashi.
Ai shtoi se ky projekt është ndër prioritetet kryesore të planit të tij qeverisës për Prizrenin, duke garantuar se asnjë familje nuk do të mbetet pa ujë të pastër, të sigurt dhe të mjaftueshëm.
“Prizreni do të ketë ujë për çdo familje, çdo ditë,” përfundoi Abrashi.