Artan Abrashi, kandidat për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, ka theksuar se shëndeti publik do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij, shkruan 04 Online.
Në një plan të detajuar për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore, Abrashi ka premtuar transformim të plotë të sistemit lokal të kujdesit shëndetësor.
“Çdo qytetar do të ketë Mjekun e Familjes të vet. Qendrat shëndetësore do të pajisen me aparatura moderne, urgjenca do të zhvendoset në një lokacion strategjik, ndërsa Korisha do të ketë qendrën e re të mjekësisë familjare,” – tha Abrashi.
Ai paralajmëroi edhe hapjen e Qendrës së Shëndetit të Gruas dhe Fëmijës, që do të ofrojë shërbime të specializuara për nënat dhe fëmijët, si dhe krijimin e një barnatoreje 24/7, qendre psikoterapeutike dhe mbështetje të veçantë për fëmijët me autizëm dhe pacientët kronikë.
“Kujdesi shëndetësor në Prizren do të jetë gjithëpërfshirës, modern dhe pranë çdo familjeje,” – përfundoi ai.