Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është i pandryshueshëm obligimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për këtë duhet një model “Made in Kosova”.
Ai ka thënë se duhet të krijohet një ekip ekspertësh juridiko-kushtetues, jopolitikë, por me vullnet politik.
“Mund të provohem gabim, por aq sa ka histori të rendit botëror është se obligimi ndërkombëtar mbetet i tillë. S’po shoh interes të forcave kryesore që të ndryshojë as për së afërmi koncepti i obligimit ndërkombëtar. Meqenëse është i pandryshueshëm, është i obligueshëm për ne, dhe s’ka amnistim për këtë faturë. Rruga jonë e vetme është se si do të dukej ky obligim në terma praktikë”, ka thënë Abdixhiku, në KTV.
Tutje, lideri opozitar ka shtuar se “kjo është brenga ime më e madhe që e flas me ndërkombëtarët. Nuk kam dëgjuar debat shoqëror se si do të dukej një trup pa kompetenca ekzekutive, brenda Kushtetutës e që nuk cenon rendin dy nivelesh të organizimit shtetëror të Kosovës”.
Ai ka shtuar se propozimi i ekipit menaxhues për Asociacionin është “federalizim i Kosovës”. Sipas tij, edhe 15 propozimet tjera për asociacionin përbëjnë “autonomi”.
“Na duhet një model ‘made in Kosova’ nga patriotët e këtij vendi, që e duan Kushtetutën dhe ekspertët e fushës në këtë drejtim dhe duhet zotim të aleatëve tanë e duhen delegacione të mira sepse nuk i thuhet ‘tigër prej letre’”, ka thënë ai.
Si zgjidhje për të eliminuar telashet me ekipin menaxhues për draftimin e Asociacionit, Abdixhiku ka thënë se duhet qartësuar se çfarëdo që çon ky ekip do të rrëzohet nga Kushtetuesja.
“Neve na duhet pranueshmëria ndërkombëtare, jo nga Serbia, sepse jam i bindur se ajo nuk e do. Dialogu i vetëm është me partnerët ndërkombëtarë që kanë vendosur këtë kusht për hapje ne rrugëve integruese”, ka shtuar ai duke thënë se nëse mbyllen pengesat me ndërkombëtarët, Kosovës do t’i hapet rruga për integrim evropian.