Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi që ai ka thënë se vitin e ardhshëm mund ta shkruaj një draft modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe.
Abdixhiku ka thënë se ka plot dy vjet që LDK-ja i ka kërkuar Kurtit ta hartojë draftstatutin si dokument i brendshëm dhe obligim ndërkombëtar i Kosovës.
Por, sipas tij, Kurti ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.
“Ka dy vite që ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm”, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohës të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëj një gjë të tillë. Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha, ‘nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë’. Por dokumenti i ndërmjetësuesit erdhi. Jo si mes, por dhe më rëndë, erdhi si autonomi!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se Kurti e ka kuptuar vonë se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës dhe se kjo vonesë është e dëmshme.
“E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’ dhe Presidenti i Serbisë. Dhe jo vetëm kaq. Ka plot dy muaj që si narracion kryesor të tij, na thotë se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj Draft Statutin e Asociacionin me Presidentin e Serbisë. Madje që atë ditë. Merreni me mend, një dokument të brendshëm të Kosovës, ta nënshkruaj jo një President Kosove por, një President hiç më pak se ai i Serbisë. Ka plot dy muaj që ngrisim në pah këtë çmenduri; dhe tek sot, dy muaj më pas, s’kërkon këtë nënshkrim. Nënshkrimi i draft statutit me Serbinë s’është më kërkesë. Çfarë ndodhi ‘kryeministër i përkohshëm’? E kuptove – më në fund – këtë çmenduri? A e kuptoni se sa pak di? A e kuptoni se sa e dëmshme është kjo vonesë e tij. Paqëndrueshmëria e tij është thelbi i pasigurisë! Padituria e tij është çmimi që paguajmë sot dhe nesër të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.