Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti i cili tha se java e parë e vitit të ri, ka qenë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë, ku përmendi heqjen e vizave, njohjen e pasaportës tonë nga Spanja, mbledhjen e faturave në veri, njohjen e targave RKS nga Serbia.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kurti mburret me projekte që i ka kundërshtuar, dhe shton që tre vite e fundit janë të humbura nën drejtimin e qeverisë nga Vetëvendosje, shkruan Reporteri.net.
Ja me çfarë mburren përplot delir popullist:
– Me njohje pasaportash por asnjë njohje të re në tre vjet. Njohja e fundit ishte nga Izraeli, 3 vite më parë; pa ta! Asnjë njohje, asnjë anëtarësim! Sanksione e mbi 300 milion euro humbje nga ky izolim!
– Mburren me mbledhjen e faturave në veri nga ‘ELEKTROSEVERI’, kompani në pronësi të shtetit të Serbisë. Ka mbi 7 vite që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje madje dhe me protestë. Sot marrëveshjen e njëjtë e trumpetojnë si histori.
– Mburren me liberalizim, proces që e kishin ndërprerë me dhunë qysh në vitin 2016. Asokohe, Kosova, Ukraina dhe Gjeorgjia ishin në një paketë. 7 vite të humbura për një kauzë që e kanë harruar tashmë. I thonë demarkacion.
Këto 3 vite janë të humbura në plotni. Pa projekte madhore, pa arritje kapitale, pa forcim të shtetësisë ndërkombëtarisht.
Kosova mundet më mirë!
Kosova meriton shumë më mirë!