AAK vendos që t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

0
205

Kuvendi i Kosovës javë më parë nuk ka arritur për të disatën herë të votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Pavarësisht thirrjeve të shumta të bëra nga pushteti ato në disa seanca me radhë nuk kanë arritur të ratifikohen, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Pas një kohe të gjatë nga bllokimi i këtyre marrëveshjeve, Aleanca për Ardhmërin e Kosovës ka vendosur që t’i votojë ato.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili. Ai ka thënë se mosvotimi i marrëveshjeve në të kaluarën është bërë që t’i tregohet pozitës se opozita është e rëndësishme.

Sipas kësaj partie, këto marrëveshje ndërkombëtare janë në shërbim të së mirës publike dhe kanë vendosur të japin mbështetjen e tyre.

“Qëndrimi ynë politik për të mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare në të kaluarën ka qenë për t’i treguar pozitës se sa e rëndësishme është opozita dhe sa i rëndësishëm është debati parlamentar dhe ndërtimi i koncensusit për çështje të brendshme dhe jo për të dëmtuar të mirën publike. Prandaj, deputetët e Aleancës duke pasur parasysh ato marrëveshje ndëkombëtare që janë në shërbim të së mirës publike, do t’i japin mbështetje për shkak që është bërë një kohë e gjatë që janë bllokuar”, tha Xhemaili për Reporteri.net.

Kategorikisht kundër për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka qenë PDK. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare me qëllim që të pengohet puna e Kuvendit dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Ai pati thënë se nuk ka kuptim që të bëhet kuorumi për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, derisa vendi ndodhet nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe se bojkoti nga partia ku ai bën pjesë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Nga qershori i viti të kaluar Grupi Parlamentar i PDK-së nuk e voton asnjë marrëveshje ndërkombëtare. Nuk e ka votuar asnjë ligj në kuadër të Kuvendit me qëllimin e vetëm që të mos krijojmë kushte që të punohet me tutje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ju e shini që tashmë nuk ka kuptim që të ia bëjmë kuorumin dhe te votojmë marrëveshje ndërkombëtare kur vendi ynë është nën sanksione.Çdo përpjekje e jona që e bëjmë në Kuvendin e Kosovës është që ta çojmë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme në mënyrë që ta nxjerrim vendin nga izolimi ndërkombëtar dhe nga sanksionet ndërkombëtare. Vendit i duhet një kryeministër i ri, një qeveri e re, dhe pa dyshim që do të vije nga PDK-ja në mënyrë që ta nxjerrim vendin nga ky izolim dhe të japim një zhvillim”, ka thënë Tahiri.

Për disa marrëveshje LDK-ja vazhdon të mbajë qëndrim që nuk do t’i votojë marrëveshjet, dhe se për to nuk ka nevojë të ketë koordinim me VV-në, pasi thonë se do i votojnë ato që i shohin që janë në përmirësim të jetës së qytetarëve.

“Nuk ka nevojë me u koordinu fare sepse ne marrëveshjet ndërkombëtare nuk i votojmë me i bë favor Lëvizjes Vetëvendosje, por marrëveshjet ndërkombëtare në i votojmë atëherë kur jemi të bindur që ato shkojnë në favor të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Bajrami derisa ka theksuar se janë disa marrëveshje për të cilat kanë pas kundërshtime, dhe se të njëjtat do të vazhdojnë të mos i votojnë.

“Ne e kemi kundërshtuar një marrëveshje ku MF –ja ka marrë kredi 40 milionë euro për skemat sociale, kemi disa vota për dhe disa kundër sa i përket marrëveshjes për burgun e Gjilanit dhe është marrëveshja e OPEC-ut të cilën prej ditës së parë e kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë. Ndërkohë, që për të tjerat nuk ka asnjë nevojë për një koordinim. Pra prapë, po e them nuk i votojmë as për hatër të znj. Kusari dhe as të Lëvizjes Vetëvendosje, por e bëjmë këtë sepse mendojmë që duhet të jemi të përgjegjshëm karshi kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Nuk ka koordinim me VV-në”, ka thënë ajo për FrontOnline.

Në seancën e para tri javëve, nuk pati kuorum të mjaftueshëm për të hedhur në votim nëntë marrëveshjet ndërkombëtare. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca pati deklaruar se në Kuvend nuk janë të pranishëm 80 deputetë./Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here