Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se partia e tij i mbështet aksionet e Qeverisë së Kosovës në veri, ku dje Agjencia për Administrim të Pasurisë së Sekuestruar nën asistimin e Policisë, vendosen kamera të sigurisë në restaurantin dhe apartamentin e Millan Radojiciq në Mitrovicë të veriut.
Por që sipas Lekaj, gjithmonë duhet pasur një koordinim mes Qeverisë dhe faktorit ndërkombëtarë për aksione të tilla pasi siç tha ai, “nuk guxojmë të lazdrohem, dhe nuk guxojmë që të marrim veprime të pakontrolluara”.
“Sa i përket aksioneve në veri mendoj që çdo kush mund t’i gëzohet nëse aty kthejmë rendin dhe ligjin, nëse aty e kthejmë sigurinë dhe nëse aty ka stabilitet edhe politik edhe ekonomik dhe integrohet në Kosovë. Ajo që mund të them është një përkrahje edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për veprimet por të koordinuara me faktorin ndërkombëtarë sepse bashkë kemi vepruar në veri, bashkë duhet të veprojmë dhe bashkë i kemi integruar komunitetin serb në institucionet e Kosovës. Dhe nuk guxojmë të lazdrohemi, nuk guxojmë që të marrim veprime të pakontrolluara dhe nuk guxojmë që të qesim frikë për qytetarët e Kosovës. Kur e them këtë askush nuk është që mos të shtrihet sovraniteti, mos të funksionojnë institucionet dhe mendoj që në këtë drejtim duhet një pjekuri e maturi e veprimit dhe e koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, tha deputeti i AAK-së”, tha Lekaj në Tëvë1.
Derisa për ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilët ishin pjesë e këtij aksioni ku vizituan vilën buzë Ujmanit, Lekaj tha se ky veprim ishte më shumë për konsum të brendshëm.
“Më besoni që është e tepërt dhe nuk do mend. Këto veprime të ministres së Drejtësisë dhe të Sveçlës, ministrit të Punëve të Brendshme mendoj që janë më tepër për konsum të brendshëm dhe për të nxitur elektoratin e vet që ne ja çka po bëjmë”, ka deklaruar Lekaj.