Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes komunale në Prizren, duke e akuzuar për zhytje në skandale dhe shkelje të ligjit, që kanë kthyer qytetin në një kaos urbanistik dhe strehë për bizneset e lidhura me pushtetin, raporton 04 Online.
Sipas AAK-së, zyrtarët komunalë kanë braktisur mbrojtjen e interesit publik dhe janë bërë përfitues të drejtpërdrejtë të shkeljeve ligjore.
AAK kërkon ndërhyrje të menjëhershme të Prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar dhe ndëshkuar krimin urbanistik.
Reagimi i plotë i AAK-së në Prizren:
Është për keqardhje deri ku është zhytur Komuna e Prizrenit në skandale dhe abuzime.
Ajo sot është shndërruar në shkelësin më të madh të ligjit, duke e kthyer Prizrenin në një katrahurë urbanistike dhe në parajsë korrupsioni për bizneset e lidhura me pushtetin.
Zyrtarët komunalë, që duhet të ishin mbrojtës të ligjit dhe interesit publik, sot dalin të jenë përfituesit më të mëdhenj të shkeljeve, duke minuar besimin e qytetarëve në institucione dhe duke dëmtuar rëndë interesin e përgjithshëm.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga Betimi për Drejtësi, janë evidentuar praktika të dhënies së lejeve ndërtimore në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, me pasoja të drejtpërdrejta për interesin publik dhe rendin urbanistik në qytet.
Qeverisja nga një grup i ngushtë interesi, që vepron për përfitime personale dhe politike, është e papranueshme dhe duhet të marrë fund. Komuna është kthyer në një instrument në funksion të pushtetarëve – dhe jo të qytetarëve të saj.
Inkurajojmë Prokurorinë dhe institucionet e drejtësisë që të veprojnë pa vonesë, duke sjellë para përgjegjësisë të gjithë ata që janë pjesë e krimit urbanistik dhe promotorë të korrupsionit institucional.
Prizreni meriton një qeverisje në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj – një qeverisje që garanton ligjshmëri, mbron interesin publik dhe ndërtohet mbi parimet e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.