A po i deklarojnë të hyrat avokatët dhe estrada, deklarohen nga ATK-ja

0
164

Profesioni i avokatit konsiderohet profitabil, por që edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) vlerëson se të hyrat nga avokatët në vend janë të konsiderueshme për vitin e kaluar dhe për periudhën janar-korrik të këtij viti.

Avokatët kanë paguar tatime mbi 5 milionë euro në periudhën janar-korrik të këtij viti. Kurse në vitin 2022 të njëjtit kishin paguar tatime mbi 8 milionë euro.

ATK mbetet “e kënaqur” edhe me estradën, pasi që sipas këtij institucioni ka dyfishim të të hyrave nga këngëtarët në Administratën Tatimore.

Ndërkaq, sektori i gastronomisë është nën llupën e ATK-së, pasi që ky sektor ka parregullsi për mos lëshimin e kuponëve fiskalë.

Zëdhënësja e Administratës Tatimore e Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa ka deklaruar për KosovaPress se në Kosovë janë mbi 2 mijë avokatë dhe individë të tjerë që operojnë në këtë fushë.

Sipas saj, pagesat nga ana e kësaj kategorie janë të konsiderueshme.

Bytyqi-Sefa ka thënë se krahasuar më të hyrat nuk ka vend për dyshime për mos deklarim të të hyrave nga avokatët.

Sfidë për ATK-në mbetet mos lëshimi i kuponëve fiskal nga ana e bizneseve.

Sipas zëdhënëses, ATK në tre muajt e verës ka inspektuar veçanërisht sektorin e gastronomisë, pasi që qytetarët kanë ankesa për mos lëshim të kuponëve fiskalë dhe për lëshim të kuponëve jofiskalë.

Sa i përket estradës, ajo ka thënë se ka një dyfishim të deklarimit të të hyrave nga këngëtarët krahasuar me dy vitet e kaluara.

Administrata Tatimore e Kosovës ka lëshuar 7 mijë e 800 gjoba kryesisht për bizneset që nuk respektojnë ligjin për printimin e kuponëve fiskal./Sinjali

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here