A po e anashkalon Shaqir Totaj – Vrrinin, bastionin tradicional të PDK-së?!

0
170

Në Vrri – zemrën elektorale që për vite me radhë në zgjedhje lokale i dha fitore të njëpasnjëshme PDK-së, tashmë vërehen disa mungesa të rëndësishme në listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Prizrenit.

Pas prezantimit të kësaj liste nga kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për një mandat të ri, Shaqir Totaj, Gazeta e Prizrenit ka evidentuar mungesën e disa figurave të njohura nga ky rajon që historikisht ka qenë një nga bastionet më të fuqishme të kësaj partie.

Nga lista mungojnë disa emra me peshë nga Vrrini, përfshirë figura që kanë marrë mbështetje të konsiderueshme në zgjedhjet e kaluara. Ndër më të spikaturat është Antigona Bytyqi, aktualisht Kryesuese e Kuvendit Komunal, e vetmja grua në pozicion të lartë institucional nga kjo zonë, e njohur për përpjekjet për të mbajtur balancën dhe për të mbrojtur interesat e subjektit brenda organit vendimmarrës.

Po ashtu, nuk figurojnë në listë as emra të tjerë të njohur si Kastriot Xh. Krasniqi, ish-asamblist me disa mandate, Shkodran KryeziRreze Hoxha dhe Bardh Avdaj, ky i fundit i njohur për komentet e tij të hapura dhe shpeshherë shumë kritike ndaj drejtuesve të degës lokale.

Mungesa e këtyre emrave, sipas disa burimeve brenda strukturave lokale të PDK-së, mund të sinjalizojë një mungesë të përkrahjes për Totajn në këtë rajon elektoral të rëndësishëm.

Më tej, vërehet edhe mungesa e kandidatëve nga nëndega në Hoçë të Qytetit, një lokalitet me ndikim, që tradicionalisht ka kontribuar me vota dhe përfaqësim në Kuvendin Komunal.

Këto zhvillime hapin dilema rreth strategjisë së përzgjedhjes së kandidatëve dhe, sipas disa interpretimesh, mund të jenë shenjë e pakënaqësive në rritje brenda degës, veçanërisht pas publikimit të listës dhe pozicionimit të disa emrave të rinj, për të cilët lindin dyshime mbi meritokracinë.

Në politikë, pakënaqësitë rrallëherë kalojnë pa pasoja, madje edhe në zonat ku një subjekt ka fituar tradicionalisht bindshëm. Aq më tepër kur sot ekzistojnë alternativa politike, ku të pakënaqurit mund të shohin veten dhe ta ndëshkojnë anashkalimin.

Çfarë ndikimi do të ketë kjo në rezultatin e zgjedhjeve? Kjo mbetet të shihet në fushatë, rrethin e parw e sidomos nw balotazh. /Gazeta e Prizrenit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here