“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: A përbën rrezik për kancer të zorrës koliti ulceroz?
Mjeku: Koliti ulceroz është një sëmundje që shkakton inflamacion dhe plagë të quajtura ulcera, në mukozën e rektumit dhe zorrës.
Ulcerat e krijuara nga dëmtimi i mukozës shkaktojnë hemorragji dhe prodhojnë mukus. Gjithashtu, një shenjë tjetër e inflamacionit të mukozës së zorrës është dhe diarrea (barkqitja). Kur inflamacioni prek rektumin dhe pjesën e poshtme të zorrës kemi të bëjmë me proctit ulcerativ.
Kur prek krejt zorrën e trashë kemi të bëjmë me sëmundjen pankolit.
Koliti ulceroz është i vështirë për t’u diagnostikuar sepse simptomat janë të ngjashme me një tjetër çrregullim intestinal të quajtur sëmundja Crohn e cila në krahasim me kolitin ulceroz shkakton inflamacion më të thellë të mukozës dhe prek pjesë të tjera të traktit tretës: zorrën e hollë, gojën, ezofagun dhe stomakun.
Koliti ulceroz mund të shfaqet në të gjitha grupmoshat. Zakonisht fillon midis moshës 15-30 vjeç dhe më pak i shpeshtë midis moshës 50-70 vjeç. Kjo sëmundje prek
burrat dhe gratë. Faktori gjenetik luan rol pasi rreth 20% të rasteve kanë histori familjare lidhur me kolitin ulceroz ose me sëmundjen Crohn.
Shenjat më të shpeshta të kolitit ulceroz janë dhimbje barku dhe diarre me përmbajtje hemorragjike.
Pacientët gjithashtu mund të shfaqin:
– Anemi (prej daljeve të shpeshta me gjak);
– Lodhje (prej anemisë dhe diarresë);
– Humbje në peshë (prej daljeve të shpeshta diarreike);
– Humbje oreksi;
– Hemorragji rektale(gjak i pastër sikur ke prerë gishtin);
– Humbje të lëngjeve dhe mikroelementeve (prej diarresë);
– Elemente në lëkurë;
– Dhimbje të kyçeve;
– Probleme në rritje dhe zhvillim (zakonisht kur sëmundja shfaqet që në fëmijëri të hershme).
Rreth gjysma e pacientëve të diagnostikuar me këtë sëmundje kanë gjysmat
e këtyre shenjave të sipërpërmendura. Të tjerët vuajnë nga temperatura e
lartë, barkqitja me përmbajtje hemorragjike, nauze dhe dhimbje të forta të barkut.
Koliti ulçerativ gjithashtu mund të shkaktojë probleme të tjera si artrit, inflamacion
të syve, sëmundje të mëlçisë dhe osteoporozë.
Shkencëtaret mendojnë se këto komplikacione ndodhin si rrjedhojë e inflamacionit të shkaktuar nga sistemi imunitar. Disa prej problemeve zhduken kur koliti mjekohet.
Çfarë e shkakton kolitin ulceroz?
Shumë teori ekzistojnë lidhur me shkakun e kolitit ulceroz. Njerëzit me këtë sëmundje kanë anomali të sistemit imunitar, por doktorët nuk e dinë ende nëse këto anomali janë shkak apo rezultat i sëmundjes.
Mendohet se sistemi imunitar i trupit reagon në mënyrë të parregullt ndaj baktereve të traktit tretës. Koliti ulceroz nuk shkaktohet nga stresi emocional apo nga ndjeshmëria prej disa ushqimeve dhe produkteve të tyre, ndonëse këta faktorë mund të shkaktojnë
shfaqjen e disa simptomave të sëmundjes.
Si diagnostikohet koliti ulceroz?
Disa teste mjekësore përdoren për të diagnostikuar kolitin ulceroz.
Ekzaminimi fizik dhe historia mjekësore zakonisht janë hapat e parë. Ekzaminimet laboratorike të gjakut janë të nevojshme për të parë nëse pacienti ka anemi, e cila mund të shkaktohet nga hemorragjia në kolon ose rektum. Testet laboratorike mund të zbulojnë nivele të larta të rruazave të bardha të gjakut (leukocitet), të cilat indikojnë në praninë e një inflamacioni në trup.
Ekzaminimi i feçeve gjithashtu mund të zbulojë praninë e rruazave të bardha në to, të cilat indikojnë për krijimin e sëmundjes së kolitit ulceroz. Veç kësaj, ekzaminimi i feçeve mund të ndihmojë doktorin të zbulojë hemorragjinë dhe infeksionin në zorrë dhe rektum
shkaktuar nga bakteret, viruset ose parazitët.
Kolonoskopia është metoda më e imtësishme dhe më e sigurtë për diagnostikimin e kolitit ulçeroz dhe për përjashtimin e disa situatave të tjera si përshembull: sëmundjen e Crohnit, sëmundjen divertikulare ose kancerin e zorrës. Gjatë ekzaminimit doktori merr material për biopsi në disa segmente të ndryshme të zorrës të cilat vlerësohen në mikroskop pas ngjyrimeve përkatëse, procedurë kjo, e cila ndihmon në përcaktimin
përfundimtar të diagnozës.
Si mjekohet koliti ulceroz?
Trajtimi i kolitit ulceroz varet nga ashpërsia e sëmundjes. Çdo pacient ka shfaqje të ndryshme të sëmundjes kështu që edhe mjekimi është individual.
Suksesi i këtij mjekimi është të stimulojë përmirësimin dhe të mbajë sëmundjen nën kontroll duke përmirësuar cilësinë e jetës për pacientët me kolit ulceroz. Në kohët e sotme të mjekësisë moderne janë në dispozicion një sërë medikamentesh,
si për shembull: aminosalicylatet (sulfasalazina), kortikosteroidet (methylprednisoni), imuno-modulatoret(azathioprine).
Këto dhe medikamente të tjera qetësojnë pacientin nga dhimbjet, diarrea dhe infeksioni. Një pjesë e pacientëve kanë periudha qetësimi të cilat mund të zgjasin disa muaj
dhe vite, por shumicës së tyre iu rikthehen simptomat.
Hospitalizimi
Në disa raste simptomat janë aq të ashpra saqë pacienti ka nevojë për hospitalizim. Si për shembull, pacienti mund të ketë hemorragji dhe diarre të ashpër të cilat shkaktojnë dehidrim (humbje të lëngjeve dhe elektroliteve). Në këto raste doktori mundohet të ndalojë diarrenë dhe humbjet e lëngjeve e mineraleve nga hemorragjia. Pacientit mund t’i nevojitet një dietë e veçantë, ushqim dhe mjekim venoz dhe në disa raste mund të lindë nevoja e kirurgjisë.
Kirurgjia
Rreth 25-45% të rasteve me kolit ulceroz e kanë të detyruar të heqin një pjesë të zorrës ose krejt zorrën për shkak të hemorragjisë së ashpër, ashpërsisë së sëmundjes, rupturës së zorrës dhe rrezikut për kancer. Doktori mund të rekomandojë heqjen e zorrës kur trajtimi medikamentoz dështon ose kur efektet negative të mjekimit me kortikosteroid
mund të vënë në rrezik jetën e pacientit.
A janë të rrezikuar për kancer të zorrës pacientët me kolit ulceroz?
Rreth 5% e pacientëve me kolit ulceroz mund të degjenerojnë në kancer. Risku i kancerit rritet me kohëzgjatjen e sëmundjes dhe se sa shumë është dëmtuar zorra.
Për shembull, në qoftë se nga sëmundja janë prekur vetëm pjesa e poshtme e zorrës dhe rektumi, risku për kancer nuk është shumë i lartë. Në rastin kur është prekur krejt zorra e trashë nga sëmundja, risku për kancer është 32 herë më i lartë se tek subjektet normale.
Në disa raste ndryshimet prekanceroze ndodhin në qelizat e mukozës së zorrës, ndryshime të cilat quhen displazi. Pacientët të cilët kanë displazi janë më të prirur të zhvillojnë ndryshime kanceroze se sa ata që nuk kanë.
Gjatë ekzaminimit me endoskopi, doktori vlerëson shenjat dhe merr material për biopsi (marrja e qelizave nëpërmjet gërvishtjes së mukozës së zorrës) e cila kon- firmon çdo ndryshim që mund të ndodhë në zorrë.