A mund të ketë mbyllje nëse konfirmohen raste me Linë e Majmunëve? Flet infektologu Ramadani

0
901

Lija e majmunëve tashmë ka nisur të paraqitet për herë të parë në disa zona të botës, gjë që ka detyruar organet shëndetësore të përgatiten për një valë të mundshme të përhapjes së kësaj sëmundje.

Tanimë, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se një pacient nga Dragashi dyshohet se është infektuar me këtë virus, e mostrat e marra nga ai janë dërguar për analiza në Holandë, shkruan lajmi.net.

Infektologu Hamdi Ramadani, në një prononcim për lajmi.net kishte thënë se edhe Kosova duhet të jetë gjithmonë i përgatitur për paraqitjen e ndonjë rasti të ndonjë sëmundje, duke thënë se marrë parasysh rastet në shtete si Zvicra, Izraeli e vende të tjera, është e mundshme që rastet e para të kësaj sëmundje të paraqiten edhe në Kosovë.

Se a do të merren masa restriktive apo kufizuese nëse paraqiten raste të kësaj sëmundje në Kosovë, Ramadani ka thënë se kjo varet nga situata.

“Se çfarë do të bëhet, ose si do të zhvillohet situata apo a do të paraqiten masa shtesë/restriktive, ashtu siç janë marrë edhe në Belgjikë, ku nuk kanë bërë diçka të veçantë por kanë marrë masa për izolimin/karantimin e të sëmurëve në spitale apo reparte të veçanta, kjo varet nga situata. Lija e majmunit është sëmundje infektive, virusale apo përhapëse dhe mendoj se izolimi në spital është prioritet i preventivës në kuptim të pengimit të përhapjes së kësaj sëmundje. A do të ketë masa shtrënguese, të natyrës kufizuese të njerëzve nga vendet e tjera, tash për tash OBSH-ja e organizatat ndërkombëtare shëndetësore kompetent nuk kanë paraqitur tash për tash ndonjë kufizim absolut, por kjo mbetet të shihet në bazë të dinamikës së përhapjes së sëmundjes, apo situata epidemiologjike e cila mbikëqyret sa po përhapet dhe pastaj OBSH-ja e organizatat tjera japin rekomandimet që quhen strikte kundër-epidemiologjike për këtë sëmundje ngjitëse”, ka thënë ai.

Infektologu Ramadani ka deklaruar se aktualisht situata duhet të monitorohet, ndërsa nëse veçse paraqitet ndonjë rast, ai duhet të hospitalizohet ashtu siç po veprohet në vende të tjera tash për tash.

“Vendi ynë është i sensibilizuar mjaftueshëm duke marrë parasysh se kjo sëmundje është paraqitur qysh në fillim të majit në vende të tjera dhe bazuar në trendin e sëmundjes në nivel evropian e më gjerë, atëherë mund të merren edhe hapa të tjerë shtrëngues. Tash për tash nuk ka nevojë për panik, por shqetësimi ekziston në suaza të autoriteteve shëndetësore e shkencore, pasi që sëmundja është e re për vendet evropiane, duke marrë parasysh se kjo sëmundje nuk është lajmëruar për kohë të gjatë dhe po paraqitet pas shumë kohësh. Shqetësimi dhe situata është serioze, por nuk ka nevojë për panik tek popullata pasi që do t’i informojmë në kohë në përpikëri për çdo gjë që duhet të dini në mënyrë që të parandalohet përhapja e saj. A do të shfaqet lija e majmunëve në Kosovë, kjo mbetet të shihet gjatë ditëve apo javëve në vijim, por është e mundshme duke parë rastet në vendet si Zvicër, Itali etj., dhe duke marrë parasysh lëvizjet e vazhdueshme që kemi nga këto vende. Andaj nuk është befasuese që gjatë ditëve në vijim të regjistrohen rastet e para të sëmundjes, ku rastet e kontaktit të dyshimtë duhet të izolohen në spital qoftë regjional apo klinikor, për 10-14 ditë, apo për sa të zgjasë faza e infeksionit apo përhapjes dhe natyrisht të bëhet trajtimi ose mjekimi bazuar në sugjerimet e deritashme për trajtimin e sëmundjes së lijës së majmunëve”, ka thënë Ramadani për lajmi.net.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here