A mund Evropa ta zëvendësojë Amerikën si mbrojtëse e lirisë dhe demokracisë në botë

0
36

Edhe pse thoshin se “janë të përgatitur për fitoren e Trumpit”, liderët evropianë nuk kanë mundur as në ëndërr të keqe ta shohin atë që po ndodh. Që Amerika e sotme në OKB të mos mbështetë rezolutë nëse Rusia përmendet si “agresore” në Ukrainë, që presidentin ukrainas ta quajë diktator, që ta lavdërojë Putinin, që në Evropë nga Shtëpia e Bardhë mbështetja t’u shkojë partive pro-ruse, që të ndalet ndihma amerikane për përhapjen e vlerave të demokracisë dhe liria e shprehjes. Evropa e ka gjetur veten në një situatë ku duhet të bashkohet për t’u përballur edhe me Amerikën e Trumpit

Janë mbushur vetëm një muaj, prej kur Donald Trump e mori mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës por kjo ka mjaftuar që në botë të ndodhin ndryshime dramatike, të shkaktuara nga deklaratat, por edhe nga veprimet e Trumpit dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Nëse lihen anash ndryshimet që po bëhen në Amerikë, e të cilat deri vonë do të mund të quheshin edhe “përpjekje për kapje shteti”, sepse po ndërhyhet në të gjitha agjencitë shtetërore, pasojat e veprimeve të Trumpit dhe të ekipit të tij po ndihen tej mase në Evropë. Aq shumë, sa që liderët e Evropës kanë nisur konsultimet mes vete se si të përballen me këtë realitet të ri.

Trumpi ka pasur të drejtë, dhe ka të drejtë edhe tash që t’i qortojë vendet evropiane se nuk kanë menduar sa duhet për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre. Dhe nuk ka qenë i pari. Që prej Clintonit, Bushit të ri, Obamës e Bidenit, të gjitha administratat amerikane kanë tërhequr vërejtjen se hendeku në fuqinë mbrojtëse të Amerikës me vendet e Evropës Perëndimore është tepër i madh, i pa lejueshëm. Dhe nuk ka nevojë që dikush të jetë gjeni për ta parë këtë.

Nga të gjitha investimet në mbrojtje të 32 vendeve të NATO-s, mbi 60 për qind është e SHBA-së. Pra, të gjitha 31 vendet tjera së bashku investojnë më pak se 40 për qind nga investimet e përgjithshme të NATO-s. Nëse kësaj i shtohet fakti se në mesin e 31 vendeve janë edhe Britania e Madhe, Kanadaja, Turqia dhe Norvegjia, të cilat nuk janë në BE, atëherë del që kontributet e vendeve të BE-së në kapacitetet mbrojtëse të NATO-s janë simbolike.

Por Trumpi, kritikat ndaj evropianëve i thotë në mënyrë brutale. Dhe shpesh duke përdorur terma të pasaktë. Ai, për shembull, e përdor termin “duhet të paguajnë për NATO-n”. Por fjala është për investime të secilit vend në kapacitetet e mbrojtjes dhe pastaj ato kapacitete të bashkuara të të gjitha 32 vendeve e përbëjnë fuqinë ushtarake kolektive të NATO-s. Pra, SHBA-ja vërtetë garanton më së shumti për sigurinë e të tjerëve përmes NATO-s, sepse edhe e ka arsenalin më të madh të armëve. Por edhe po të mos ishte kjo, SHBA-ja do të kishte ushtrinë e fortë, me apo pa NATO-n.

Dallimi mes Trumpit dhe të gjithë presidentëve të mëparshëm amerikanë është se ai po e vë në pikëpyetje edhe gatishmërinë amerikane për të mbrojtur aleatët. E besa ndaj disave, si ndaj Kanadasë dhe Danimarkës, shfaq edhe pretendime territoriale dhe i kërcënon. Kjo është diçka e re për Evropën, e mësuar që gjithmonë, në të mirë dhe në të keq, ta ketë Amerikën si engjëllin mbrojtës.

Që nga lufta e parë botërore, ajo e dyta, nga rindërtimi pas luftës, mbrojtja nga blloku sovjetik, shembja e murit të Berlinit dhe bashkimi i Evropës e deri tek ndalja e luftës në Bosnjë-Hercegovinë e më vonë edhe në Kosovë, ka qenë Amerika ajo që i ka ndihmuar Evropës. Dhe nuk do t’ia kishte dalë Amerika pa Evropën.

Por tash kanë ndryshuar gjërat. Tash në Shtëpinë e Bardhë është një president, i cili e ftonte Rusinë që t’i sulmojë vendet evropiane. Një president i cili e fajëson Ukrainën për luftë, ndonëse ai vend po mbrohet, e jo Rusinë e cila ka bërë agresion ndaj Ukrainës.

Edhe pse thoshin se “janë të përgatitur për fitoren e Trumpit”, liderët evropianë nuk kanë mundur as në ëndërr të keqe ta shohin atë që po ndodhë. Që Amerika e sotme në OKB të mos mbështetë rezolutë nëse Rusia përmendet si “agresore” në Ukrainë, që presidentin ukrainas ta quajë diktator, që ta lavdërojë Putinin, që në Evropë nga Shtëpia e Bardhë mbështetja t’u shkojë partive pro-ruse, që të ndalet ndihma amerikane për përhapjen e vlerave të demokracisë dhe liria e shprehjes. Përderisa BE-ja i shton sanksionet ndaj Rusisë, presidenti amerikan fton që Rusia të kthehet në G7 dhe e kritikon vendimin që të përjashtohet nga grupi.

Evropa e ka gjetur veten në një situatë, ku duhet të bashkohet për t’u përballur edhe me Amerikën e Trumpit. Ka pasur aty-këtu zëra në muajt e fundit se “nuk duhet marrë seriozisht gjithçka që thotë Trumpi”. Por si mund të mos merret seriozisht presidenti amerikan, njeriu më i fuqishëm në botë. Sidomos kur pranë tij e ka edhe Elon Muskun, njeriun më të pasur në botë, dhe njerëz të tjerë të pasur. Dhe kur kësaj radhe ka vendosur në pozitat kryesore njerëzit që ndajnë qëndrimet e tij. Ndërkohë që nuk dëgjohen republikanët tradicionalë, që qëndrimet ndaj Rusisë gjithmonë i kanë pasur edhe më të ashpra sesa demokratët, e sot heshtin.

E sa u përket vlerave liberale, thirrjeve për inkluzivitet dhe diversitet, sot Vatikani duket tejet liberal krahasuar me retorikën dhe sjelljen e administratës së Trumpit në muajin e parë të mandatit.

Por në përballje me Trumpin, evropianët kanë disa dobësi. Në radhët e tyre kanë liderë, të cilët në Trumpin e shohin aleatin për ta luftuar atë që e quajnë “burokracia e Brukselit“ dhe për të avancuar politikat pro-ruse. Dhe tash BE-ja do ta ketë më të vështirë të mbetet e bashkuar karshi Rusisë sesa para Trumpit, sepse pas lëvdatave të Trumpit për Putinin dhe kritikave për Evropën dhe Ukrainën, miqtë e Putinit në Evropë me mburrje po thonë “ja po e shihni se ne kemi pasur të drejtë”.

Për Evropën është krijuar edhe një grackë, sepse ka llogaritur gjithmonë në Aleancën e palëkundur me Amerikën. Dhe po dëshmohet se kjo ka qenë një qasje jo e zgjuar. Ja, për shembull, për këta tre vjet pothuajse në tërësi BE-ja e ka zhdukur varësinë nga furnizimi me gaz nga Rusia. Por në të njëjtën kohë, ka krijuar varësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej së cilës e ka rritur tej mase importin e LNG (gaz natyror në gjendje të lëngët). Ka investuar miliarda për të ndërtuar terminale. Dhe tash, nëse nuk do import të gazit më nga Rusia, nuk guxon të prish raportet krejtësisht me SHBA-në.

Për shumë gjëra që tash po ndodhin, Evropa ka mundur të përgatitej më mirë. Sepse nuk mund të llogarisë askush se gjërat janë të shkruara në gurë dhe janë të garantuara përgjithmonë.

Tash jetojmë në një kohë kur administrata amerikane edhe në OKB koordinohet me Rusinë dhe jo me aleatët evropianë. Në një kohë kur vetëm 20 për qind e qytetarëve të Evropës e konsiderojnë Amerikën si aleate ndërsa të tjerët vetëm si “partnere të zorit”. Por së paku Trumpi e ka zgjuar nga gjumi Evropën. Dhe “më mirë vonë sesa kurrë”, është një fjalë e urtë. Por larg është koha kur BE-ja mund ta zëvendësojë Amerikën si mbrojtëse të vlerave të demokracisë dhe lirisë në botë. Sepse me këto vlera, probleme ka akoma edhe në Evropë.

Shkruan: Augustin Palokaj

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here