Pandemia Covid-19 preku sektorin publik e privat për kah aspekti ekonomik, por ai privat mbeti më i dëmtuari.
Në mesin e sektorëve të prekur është edhe sektori i shërbimeve të bukurisë dhe kujdesit estetik, shkruan lajmi.net.
Në një prononcim për lajmi.net dy grimeret e njohura në Kosovë, Sellma Spahiu dhe Selvije Hoti treguan për sfidat e këtij profesioni gjatë periudhës së pandemisë.
Sipas Sellma Spahiut, gjatë dy viteve të para të pandemisë, me masat dhe kufizimet, puna dhe funksionimi i veprimtarisë se tyre ka qenë sfidues, mirëpo këtë vit rezervimet janë në numër shumë më të madh.
“Sigurisht që gjatë dy viteve të para të pandemisë – me masat dhe kufizimet – puna dhe funksionimi i veprimtarisë tonë ka qenë më sfidues. Puna ka qenë brenda pritshmërive. Por, për sezonën që po vjen, mund të them se kërkesat dhe rezervimet janë në numër shumë të madh, ku për shkak të kërkesave të mëdha rezervimet i kemi filluar shumë herët këtë vit”, tha ajo.
Mirëpo, sipas saj pandemia nuk ka ndikuar në rritjen e çmimeve të shërbimeve, por çmimet ndryshojnë varësisht nga sezoni.
“Çmimet ndryshojnë varësisht nga sezona, mirëpo kualiteti i shërbimeve dhe i produkteve qe ne ofrojmë dhe kujdesi ndaj klientëve janë gjithmonë në nivel shumë të lartë”, shtoi tutje ajo.
Ndërsa edhe grimerja tjetër, Selvije Hoti tregoi se pandemia ka qenë një sfidë për biznesin e tyre, mirëpo tani me lirimin e masave edhe numri i rezervimeve është më i madh.
“Gjatë mbylljeve totale dhe vendimeve për mbyllje të selektuara, sektori ynë ka qenë gjithherë në listën e më të afektuave andaj puna gjatë periudhës së pandemisë ka qenë vështirë e menaxhueshme dhe sigurisht numri i rezervimeve tani është më i madh, sepse nuk ka as kufizime të theksuara në lëvizje të qytetarëve”, deklaroi ajo.
Ajo tregoi se çmimet nuk kanë ndryshuar edhe pas periudhës së pandemisë.
“Çmimet e shërbimeve në ‘Glam Corner’ kanë mbetur të pandryshuara”, shtoi tutje ajo.