Deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli, i ka quajtur lëshime mjeshtërore deklaratat e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se tetë deputetë nga Vetëvendosje kanë shprehur interes t’i bashkohen kësaj partie.
Derisa fliste me siguri për të gjithë Grupin Parlamentar se nuk do të ketë një lëvizje të tillë, Avdyli pati siguri absolute për deputetët e Listës Guxo.
“Koalicioni është stabil. Zoti Gashi ka bërë një lëshim mjeshtëror të balonave dhe tash ne po vrapojmë pas atyre balonave se edhe gazetarët më kanë shkruar nëse do të jem unë nga ata që do ta kalojnë në LDK. I siguroj qytetarët e Kosovës se koalicioni është duke funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këto balona, të cilat edhe Arbeni nuk i beson vërtet, por i lëshon që pastaj të krijohet njëfarë hutie dhe tensioni. Unë s’e kam dëgjuar asnjë deputet, sepse jam çdo javë në Kuvend dhe takohem me dhjetëra deputetë, por s’e kam dëgjuar këtë. Për herë të parë e dëgjova prej zotit Gashi. Po ashtu, nëse kanë aluduar në pesë deputetët e Listës Guxo, absolutisht s’është e vërtetë. Ne kemi marrë votat duke qenë një koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen”.
Avdyli tha se pati thirrje nga gazetarët për ta pyetur nëse është ai një prej tetë të përmendurve, por tha se kjo pyetje po ngrihet për shkak se ai në të kaluarën ka qenë pjesë e LDK-së.
Deputeti në televizionin publik lavdëroi ministrat e Qeverisë, duke thënë se janë duke e kryer punën me zell dhe dinjitet, por se ndonjë vërejtje të aty-këtushme edhe mund ta japin.
“Çdoherë që mund të kemi edhe vërejtje të vogla, mund të kemi çdo gjë, sepse tek e fundit ne jemi deputetë dhe kemi idetë tona. Ndoshta ndonjëherë edhe brenda Listës Guxo, jemi pesë deputetë dhe kemi dallime e lëre 60 e sa deputetë”./Gazeta Express/