Shoqëritë gjithandej shqiptare, prej filleve të erërave të demokratizimit janë infektuar aq shumë me zvetënimin e rolit të qytetarit aktiv, sa që sot pas gati dy dekadave të testimit të vetvetes për (pa)pjekurinë e tyre, kanë ardhur në një pozicion, sa absurd (sepse, kanë fituar përshtypje të gabuar, se janë në rrugë të duhur), aq edhe naiv (sepse, kanë investuar më shumë në formë/legjislacion e norma kushtetuese), se sa në përmbajtje (pra, në edukim dhe arsimim të qytetarit)! Dhe ky keqkuptim, i fuqizuar me aplikativitet masiv ka prodhuar një “fotosintezë” të deformuar dhe improvizuese sociale, për demokracinë dhe raportet demokratike brenda sistemit vleror. Natyrisht, gjithë këtë deformitet të (pa)vetëdijshëm, në këtë rrugëtim dy dekadash, e kanë “ushqyer”, por, edhe e kanë mbërthyer faktorët e jashtëm, si; kultura masive, arti masiv, politika masive, tjetërsimi masiv, vetëkënaqësia masive, hedonizmi masiv…etj. Tani, këtë gjendje (frikohem edhe me dromca sindrome!) të turbullt padyshim, në sytë e publikut (ende amorfë dhe ende të papjekur sa duhet për “odisejadat dhe betejat” e reja të “pushtimit” të lirive (të: qarkullimit, mendimit, gjykimit, tregtisë, etj.), nevojitet ta shërojmë përmes lirisë pozitive. Që nënkupton, lirinë jo në vetvete, jo shkatërruese, por “lirinë për diçka”, duke kaluar nga gjendja “të posedojmë” në gjendjen “të jemi”.
Kjo gjendje, që për popujt dhe vendet tjera të botës perëndimore, shpesh herë ishte edhe vetë “ferri” i emancipimit, por, edhe caku i asaj që shquhet dhe identifikohet si shoqëri e shëndoshë. Ku, arsimi, shëndetësia, mediat, politika, kultura, etj. rrezatojnë liri pozitive, liri kreative kulturore vetanake. Ky tip lirie, nuk është “produkt”, që mund të importohet, sikurse çdo mall tjetër në tregun e jashtëm masiv. Ky tip lirie, as nuk mund të konsumohet (ashtu siç po mendojnë elitat aktuale; politike kulturore), as nuk mund të amputohet (sikurse; veshja, ushqimi, etj.), nga të tjerët! Ndryshe, ne edhe më tej do mbesim “shoqëri periferike”, ashtu siç ishin “testuar” historikisht gjeneratat tona të mëhershme. Pra, na nevojitet kurajë, s’ pari individuale, e më pastaj edhe komunitare, në mënyrë që të fillojmë ndërtimin e asaj që shquhet si “licencë” personale identitare. As më shumë e as më pak, se sa të tjerët. Duket, që vonesë tonë historike, duhet gjurmuar edhe në këto “binarë” të identifikimit tonë me të tjerët, në vend që të tjerët të identifikohen me ne! Dhe atë, jo si individualist (gjë që edhe jemi të shquar, nëpër gjithë historinë tonë të qenêsimit), por, si komunitet, e kolektivitet kombëtar e shtetëror. I cili dinë dhe mund të shndërrohet në organizatë; sociale, politike, ekonomike, kulturore, e pse jo edhe sosh ushtarake. Vetëm kështu të organizuar dhe të mobilizuar, mund të dëshmojmë se e meritojmë të futemi në konkurrencë lojale me kombet dhe shtetet tjera për rreth neve. Dhe imponohemi si komb e si shtet, që përveç gatishmërisë për të menaxhuar veten e dine edhe të ndërtoj karizma e respekt te tjerët. Qytetaria kosovare, ende mbetet një koncept kontemplativ në jetën tonë sociale dhe sidomos atë politike. Ajo mund të shquhet apo identifikohet edhe si një lloj mase amorfe, apo për të mos thënë edhe një lloj turme e hipnotizuar ende me “reliktet” e luftës dhe të paqes. Është kështu, si është edhe për shkak se asaj i mungon përgjegjësia dhe ndërgjegjja publike, për rolin e saj që duhet ta ketë, nëse pretendon të mbahet në konkurrencë relevante demokratike. I gjithë historiku I pasluftës, ka dëshmuar se kastat e vetë promovuara dhe vetë imponuara politike, imperativ kryesor e kishin “periferizimin” e qytetarisë në margjinat e vendimmarrjes, dhe çmotivizimin e saj nga pakënaqësia; sociale, politike, ekonomike, po edhe ajo juridike. Ky “periferizim” dhe ç ‘motivim i (pa)qëllimshëm e sistematik, natyrisht që u bë i dëmshëm edhe për vetë kastën e vetë promovuar sociale.
Për shkak se ajo ishte apo të paktën mendohej të ishte ajo: lokomotiva kryesore e interesave qytetare, kombëtare dhe shtetërore: S’ pari; e vranë, qartë normën apo të drejtën (e garantuar edhe me Kushtetutë) elementare të standardit që e bënë demokracinë të pranueshme edhe për mentalitetin dhe etnopsikologjinë tonë sociale! S’dyti;e frustron, padyshim e margjinalizon edhe atë pak ajke të guximit qytetarë që ka ide, zgjidhje, por, edhe qëndrime të drejta (fisnike) për cilindo problem të shfaqur në komunitet apo shoqëri! Pra, e ngulfat dukshëm aversionin antiqeveritar, që në faza tjera emancipuese mund të shndërrohet shumë lehtë në ikje masive dhe të pandalshme! S’ treti; e stimulon edhe më tej si korrupsionin, krimin, nepotizmin, ashtu edhe diferencimin e natyrshëm midis shtresave sociale…! Sepse, transparenca dhe përgjegjësia publike, zakonisht bëhen “produkte made qeveria”! S’ katërti; paragjykon, shtetndërtimin si një proces që gjëja paska vetëm nevoja ekskluzive politike (duke i margjinalizuar ato; ekonomike, juridike, kulturore, etj.), dhe se me metoda makiaveliste mundet të zhvendoset (qëllimshëm!) vëmendja kah (do qeveria e jo publiku!) problemet krejt inegzistente! S’ pesti; e problematizon, qëllimshëm idenë sekondare (të ikjes apo arratisjes) në mënyrë që ta fshehë aftësinë e vetë për t’u dal ballë obligimeve qytetare për mirëqenien! S’ gjashti; e stigmatizon, gabimisht opozitën (e vogël në numra, por, ende të kompleksuar nga vogëlsia) në vend që ta josh (lexo; obligon ligjërisht, jo moralisht!) me obligime e sanksione shtetërore dhe ato nacionale! S’ shtati; e degradon (madje, edhe varros!)përfundimisht shpresën kolektive për proceset e reja integruese Evropiane, duke hapur kështu shtigje tjera për arratisje edhe më të dendura jashtë vendi! Duke krijuar kështu perceptimin e gabuar se: qytetarët shqiptar realisht mbesin edhe më tej “të burgosur kolektiv”, me këta deputet që punojnë vetëm për vetën, klanin, partinë, e jo shtetin (ende të munguar, në kuptimin e vendimmarrjes vetanake!) sovranitetin (e improvizuar) demokracinë (e amputuar) dhe kombin! Kosova si shteti më ri në Evropë, pra një shtet “sui generis” që ende është në proces të një vetë kërkimi, verifikimi dhe vetë dëshmimi të organizimit të jetës shtetërore dhe asaj shoqërore për qytetarët e saj, ka nevojë për identifikimin e qartë të disa çështjeve fondamentale dhe ekzistenciale që i takojnë sferës së interesit publik, siç janë: definimi i qartë i kufijve me Serbinë, heqja e dilemave rreth (mos)bashkimit me Shqipërinë, kyçje s në BE-ane, profilizimin kulturor dhe ideologjikë, konsolidimit të demokracisë, etj. Kosova ende mbetet shtet me institucione ende të brishta demokratike që vështirë mund të garantoj e plotësoj kriteret tejet të ashpërsuara për anëtarësim në BE-e, pas luftës së shfaqur në Ukrainë dhe kërcënimeve serioze në Ballkan nga ambiciet e Serbisë për hegjemoni e dominim. Kosovën, e presin profilizimi social (krijimi i parakushteve për një mirëqenie sociale), politik (një ballafaqim permanent i koncepteve ideologjike), intelektual (një përgatitje solide të kuadrove të reja që mendojnë dhe gjykojnë në mënyrë evropiane) e kulturorë (një pajtim definitiv të sistemit dhe vlerave të reja)…
Shkruan: Fadil MALOKU
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online