A është ende civilizimi perēndimor, civilizimi më dinamik…!?

0
436

(Dobësimi i ndikimit të Perëndimit në skenën globale botërore do të vijë gjithnjë duke u rritur në vitet dhe dekadat në vijim… Në anën tjetër, mungesa e luftës së ftohtë mes dy superfuqive do ta zhdukë vijën e demarkacionit lindje-perëndim…)

Samuel Huntingtoni, ishte një profesor i njohur i Harvardit dhe Drejtori i John M. Olin, Institutit për Studime Strategjike. Në vitin 1993, kur për herë të parë e botoj punimin e titulluar “Përplasja e Civilizimeve?”, në revistën prestigjioze “Foreign Affairs”, pasuan një seri reagimesh, të cilat, sipas editorëve të kësaj reviste, nuk mbaheshin mend në 50 vitet e fundit të shekullit të kaluar! Nga kjo distancë kohore, fitohet përshtypja se kur njerëzit hetojnë nevojën dhe pasionin që të reagojnë kështu në një numër kaq të madh, atëherë autori, ose ka qenë shumë i bindur në atë që ka thënë, ose ka qenë tërësisht ‘out’! Samuel Huntingtoni, i shtyrë nga një numër aq i madh i reagimeve publicistike, shkencore e besa edhe politike, para shtatë viteve botoi librin (i cili po ashtu do të bëhet objekt i shumë kritikave, por tashmë çuditërisht kishte edhe lëvdata!) me një titull identik: “Përplasja e civilizimeve dhe rikonfirmimi i sërishëm i rendit botëror”. Është interesant, se tani pas titullit të lartpërmendur, mungonte pikëpyetja e mëhershme e apostrofuar në punimin e parë, që d.m.th. se ndërkohë ai bëhet edhe më i sigurt në prejudikimet e tij të mëhershme për mundësitë reale të “përplasjeve të civilizimeve” botërore! Por, për çfarë hipotezash të këtij autori në të vërtetë ishte fjala, që atëbotë e patën tronditur botën me prognozimet e tij pesimiste? Apo, cila ishte esenca e tezave të Huntingtonit dhe sa në të vërtetë tani, pas një distance kohore prej kaq vitesh, ato kanë dalë si të vërteta, apo afër të vërtetës së tij?Duhet theksuar se Huntingtoni mendonte se në fund të shek. të XX-t kultura do të bëhej madhësi mesatare e kulturës së një rrethi civilizues apo kulturës së një qytetërimi. Ku ai e identifikon kulturën si koncept dhe veçanti të grupeve apo komuniteteve të caktuara me konceptin e civilizimit, që në esencë (për mendimin tonë) janë dy kategori të ndryshme mes vete. Kultura, përkatësisht civilizimi, sipas Huntigtonit është një mënyrë e të jetuarit, përmbledhje e të jetuarit, të besuarit, institucioneve, strukturave sociale. “Civilizimet – thotë ai, jemi “ne” më të mëdhenjtë, brenda të cilës ndihemi në shtëpinë tonë – ndaras nga të gjithë “ata” të tjerët, dikun atje”, që dosido nuk ndihen në shtëpinë e tyre.

  1. Civilizimet, si entitete më të gjëra kulturore, kanë karakteristikat e tyre objektive, siç janë: historia, gjuha, religjioni tradita, institucionet, dhe ato subjektive, që prejudikohen përmes vetë identifikimit të njerëzve si pjesëtarë të një civilizimi të caktuar. Huntingtoni, në të vërtetë, kur përmend identitetin kulturor, mendon se ai sot sërish është bërë një cilësi dominuese e identitetit personal dhe atij social, me fjalë të tjera sot, sipas këtij vetëformulimi, njerëzit vetë identifikohen dhe “ata” i identifikojnë ekskluzivisht të tjerët si pjesëtarë të njërit ndër civilizimet e caktuara, apo, thënë më shkurt, si pjesëtarë të njërit ndër tetë (sa edhe ai i identifikon) civilizimeve kryesore të shek. të XX-të. Sipas Huntingtonit, këto civilizime të identifikuara janë: civilizimi kinez (apo konfuçian), civilizimi japonez, civilizimi hindus, civilizimi islam, civilizimi perëndimor, civilizimi latino-amerikan, civilizimi ortodoks, civilizimi budistik, e ndoshta edhe civilizimi afrikan. Duke e shikuar këtë identifikim civilizimesh nga ana e Samuel Huntingtonit, nuk është vështirë të hetohet që numri më i madh i kategorizimit të këtillë i përket apo i përgjigjet, në esencë, ndarjes sipas kriterit religjioz, kriter të cilin autori e përdor me qëllim si mjet identifikues tek këto civilizime.Për Huntingtonin, shkaqet ekonomike dhe ato ideologjike nuk do të jenë më shkaqe determinante, të cilat do t’i cilësojnë dhe do t’i tërheqin pas vetes turmat e mëdha të njerëzve, e aq më pak determinante të cilat do t’i ndajnë ata mes vete. Falë modernizimit të pjesës më të madhe të botës dhe prosperitetit të madh ekonomik të Azisë juglindore dhe të Lindjes, antagonizmat mes të pasurve dhe të varfërve, do t’i përcaktojnë gjithnjë e më pak kahet themelore të politikës ndërkombëtare. Dobësimi i ndikimit të Perëndimit në skenën globale botërore do të vijë gjithnjë duke u rritur në vitet në vijim. Në anën tjetër, mungesa e luftës së ftohtë mes dy superfuqive do ta zhdukë vijën e demarkacionit lindje-perëndim. Principi i tubimit dhe i drejtimit të zhvillimit ekonomik, si edhe ai i bashkëpunimit të botës së sotme, është i përcaktuar, siç thotë Huntingtoni, në rend të parë nga limitet e përkatësisë së këtij apo atij rrethi civilizues. Duke ndjekur një rrugëtim të tillë të strukturës dhe të dinamikës së raporteve në botën bashkëkohore, e në anën tjetër edhe të ridefinimit të sferave të ndikimit, do të thoshim se reale, apo potenciale në botën e sotme do të mund të bëheshin, si pasojë, së pari, tendencat universale të cilitdo civilizim, e para së gjithash atij perëndimor, pra dëshira (dhe nevoja), që drejtimet themelore të këtij civilizimi (sundimi i ligjit, pluralizmi social, individualizmi, etj.) t’u imponohen vendeve, apo civilizimeve të tjera si diçka e mirë, e dëshiruar dhe diçka universale; dhe, së dyti, nga fakti se një numër mjaft i madh i vendeve gjendet në vijën e ndarjeve të dy, e më rrallë edhe të tri civilizimeve.
  2. Huntingtoni, në këtë rast, shfrytëzon nocionin e thjeshtë shkencor mbi dridhjet e tokës, për të ilustruar pozicionin e këtyre vendeve të fundit, që gjenden në hapësirën e kryqëzimit të dy civilizimeve. Shtrohet pyetja: sa në të vërtetë është paradigma civilizuese përcaktuese e marrëdhënieve në botën e sotme, apo sa njerëz, në të vërtetë, të periudhës postbllokiste mund ta identifikojnë konceptin e asaj që u përket “atyre”, në mesin e atyre të “tjerëve” që nuk i ndajnë as muret e civilizimit (kulturës), përkatësisht religjionit të tyre? Huntington është shumë i vetëdijshëm se etnokulturat, në realitet kulturat autonome, po bëhen gjithnjë e më shumë cak identifikues i shumicës së njerëzve rreth e përqark kopshtit të Krijuesit, me siguri, më pak për shkak të pasojave të modernizimit dhe të anomizitetit të përcjellë në raportet e ndërtuara mes njerëzve të ambienteve urbane (lëvizshmëria e madhe hapësinore, etj.), e më shumë, mes të tjerash, edhe për shkak të reaksionit ndaj fenomenit të globalizimit, domethënë ndaj uniformitetit planetar të informatave, modës, ushqimit, argëtimit, etj. Ndërkohë, një çështje tjetër është se ku gjendet, në hierarkinë e ndjenjës së përkatësisë dhe besnikërisë së tërë këtij uniformiteti, lojaliteti ndaj civilizimit që i përkasim, me fjalë të tjera, sa mund të jetë e fuqishme në esencë ndjenja e (vetë) identifikimit të njerëzve sipas vijës së përkatësisë civilizuese? E ashtuquajtura sindroma “ne” – “ata”, nuk ka kuptimin e lojalitetit dhe solidaritetit mes vete. Sot, në të vërtetë, kjo sindromë e “neve” – dhe “atyre”, më së shpeshti ekspozohet në vetëdijen etnocentrike, pra në ndjenjat etnonacionale (siç do të mund të thoshim se ishin rastet e luftërave identifikuese mes serbëve dhe kroatëve; shqiptarëve dhe serbëve; serbëve dhe boshnjakëve; maqedonasve dhe shqiptarëve; etj.). Pyetja e përbashkët për tërë këtë sindromë, do të thoshim se është: sa e fortë është ndërlidhja që ushtrohet me paradigmat e quajtura civilizime mes njerëzve? Ose a mundet civilizimi, si një ndër grupimet më të gjëra njerëzore (disa thonë vetëm më e vogël se raca!) të shërbejë si mjet identifikimi, apo disi ai, si koncept (kazan) shumë i gjerë i identifikimit të vetvetes, është i tepërt dhe, si të themi, i papërthekueshëm për mentalitetet apo identitetet të cilat ende notojnë në ujërat e etnosit, racës, religjionit dhe identifikimeve të tjera? Kjo për Ballkanin, ku janë zhvilluar dhe zhvillohen ende luftëra në baza etnike (prapa të cilave me siguri fshihet ajo fetare) do të thoshim, është e paimagjinueshme! Për këtë shkak, përkatësia e identitetit të civilizimit i shkrin barrierat e etnosit, religjionit dhe përkatësisë regjionale në një kazan krejtësisht tjetër, që kërkon si identifikim disa segmente të tjera identifikuese. Përveç kësaj, shumë vende në kuadër të regjionit përkatës, pra në kuadër të të njëjtit civilizim, kanë si “argumente” kontestuese mes vete në të shumtën e rasteve: kulturën, mitet, kujtesën historike, etj., aq sa që është e vështirë të shkrihen në kazanin e përbashkët të zhvillimit dhe emancipimit ekonomik, politik, religjioz, etj….
    (Ca nga këto teza, lidhur me Rendin e Ri Botëror u hodhën në Simpozium këtu në New York)

Shkruan: Fadil MALOKUsociolog dhe profesor Universitar

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here