Ekspertët e shëndetit mendor dhe të trurit po paralajmërojnë se konsumimi i tepërt i përmbajtjes “të pavlerë” në internet mund të çojë në një fenomen të quajtur “kalbje e trurit”, një përkeqësim i funksioneve mendore i lidhur me përdorimin e vazhdueshëm të mediave sociale dhe platformave online.
Kjo shprehje, që vitin e kaluar u shpall “Fjala e Vitit” nga Shtëpia Botuese e Universitetit të Oksfordit, përshkruan ndikimin negativ që mund të ketë përmbajtja e pafiltruar, shpërqendruese dhe me cilësi të ulët në shëndetin tonë mendor.
Dr. Andreana Benitez, neuroshkencëtare në Universitetin Mjekësor të Karolinës së Jugut, krahasoi përmbajtjen e varfër dixhitale me “ushqimin e shpejtë për trurin”, duke theksuar se mbingopja me informacione të pavlera mund të sjellë lodhje mendore dhe perceptime të shtrembëruara të realitetit. Megjithëse ende nuk ka prova të mjaftueshme shkencore për të konfirmuar ndryshime të drejtpërdrejta në strukturën e trurit, disa studime tregojnë lidhje mes kohës së gjatë para ekranit dhe problemeve të shëndetit mendor, veçanërisht tek të rinjtë.
Sipas të dhënave nga CDC, rreth një në katër adoleshentë që kalojnë shumë kohë në internet raportojnë ndjenja shqetësimi ose depresioni. Studimi i vitit 2024 për zhvillimin e trurit të adoleshentëve në SHBA lidhi përdorimin e tepruar të ekranit me çrregullime si depresioni, ankthi dhe mungesa e vëmendjes, ndërsa disa analiza sugjerojnë edhe dëmtime në funksione ekzekutive si kujtesa dhe planifikimi.
Ekspertët theksojnë se nuk është vetëm koha para ekranit që ka rëndësi, por edhe lloji i përmbajtjes që konsumohet. Dr. Costantino Iadecola nga Qendra Mjekësore Weill Cornell thekson se ora të tëra të kaluara para pajisjeve dixhitale shpesh zëvendësojnë përvoja thelbësore për zhvillimin e trurit, si ndërveprimet fizike, aktivitetet sociale apo ekspozimet emocionale komplekse.
Si pasojë, profesionistët rekomandojnë që prindërit dhe të rriturit të ndërtojnë zakone të shëndetshme dixhitale. Kjo përfshin krijimin e planeve për kohën para ekranit, shmangien e pajisjeve para gjumit dhe orientimin drejt përmbajtjes që nxit kreativitetin dhe lidhjen me të tjerët. Sipas tyre, teknologjia mund të jetë pozitive nëse përdoret me masë dhe për qëllime të dobishme.
“Problemi është kur ajo shndërrohet në varësi,” përfundon Dr. Iadecola. “Çdo gjë me masë.”/ Euronews