Javën e kaluar, pra më 23 janar, Kuvendi Komunal miratoi buxhetin për vitin 2026 dhe planifikimin për vitin 2027 dhe 2028. Ne, si opozitë, e lëshuam mbledhjen para votimit, sepse kishte dyshime se nuk janë respektuar procedurat e sjelljes së buxhetit në kuvend për miratim. Pati huti për faktin nëse ishin 21 vota PËR apo jo. Edhe pse Totaj ka koalicion me pothuajse të gjitha subjektet që janë të përfaqësuara në KK Prizren, buxheti i propozuar mori vetëm 21 vota për, pra kaloi vetëm për një votë. Kjo ndodhi pasi që në kuvend u kthye një kuvendare nga radhët e komunitetit pakicë. Pa të, ishin vetëm 20 vota për, të pamjaftueshme që të kalonte buxheti. Lind pyetja: pse u kthye kuvendarja për t’ia bërë Totajt të PDK-së numrat? Në mesin e kuvendarëve përshpëritet se ajo dëshiron të bëhet zv.kryesuese dhe kjo mbase ishte një lloj pazari me pushtetin, për t’i treguar se i nevojitet vota e saj dhe pushteti duhet ta propozojë për zv.kryesuese në seancën e radhës, pasi që zv.kryesuesi Furkan Bytyq u bë nënkryetar i komunës nga radhët e komuniteteve pakicë, me propozim të Totajt.
Të kthehemi te buxheti, i cili për këtë vit do të jetë mbi 75 milionë euro, rritje diku 40% më shumë prej ardhjes së Qeverisë Kurti në qeverisjen qendrore, nga të cilat: për paga dhe mëditje janë paraparë mbi 31 milionë euro; mallra dhe shërbime mbi 14 milionë euro; subvencione dhe transfere mbi 5 milionë euro dhe shpenzime kapitale mbi 22 milionë euro. Buxheti është plan financiar që tregon sa para ka, nga vijnë dhe si do të shpenzohen brenda një periudhe të caktuar, pra në këtë rast brenda një viti kalendarik. Shaqir Totaj, si kryetar i Komunës së Prizrenit, nuk është treguar si menaxher i mirë dhe në mirëbesim i taksave të qytetarëve të Prizrenit. Ai, si pasojë e keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit, e ka futur Komunën e Prizrenit në borgje dhjetëra miliona euro.
Buxheti që u hartua nga Totaj nuk merr parasysh kërkesat e qytetarëve nga dëgjimet buxhetore, nuk është buxhet në shërbim të tyre, por buxhet i klaneve dhe grupeve të interesit. Është një dokument që reflekton keqplanifikim, keqklasifikim dhe vazhdimësi të drejtpërdrejtë të keqqeverisjes së katërvjeçarit të kaluar nga partia në pushtet dhe kryetari Totaj. Ky buxhet nuk bazohet në një vizion zhvillimor, as në plane të qarta e projekte të mirëfillta. Përkundrazi, kemi punë pa plan, projekte të nisura e të lëna përgjysmë, investime të koduara jo për zhvillim, por për të mbuluar borxhet — ose më saktë, fajdet — në të cilat është futur Komuna e Prizrenit nga Totaj dhe, bashkë me të, qytetarët tanë si taksapagues. Ky buxhet i anashkalon sektorët më të rëndësishëm, duke u ndarë shuma qesharake për shëndetësinë, zhvillimin ekonomik, bujqësinë, turizmin dhe çështjet sociale. Kjo situatë nuk është rastësi. Ajo dëshmon paaftësi serioze në planifikim dhe menaxhim financiar, si dhe një kaos të plotë në qeverisje.
P.sh., me të ardhur në pushtet, në mandatin e parë, Totaj me pompozitet kishte prezantuar në KAB (Kornizën Afatmesme Buxhetore 2022–2024) se do të ndante secilin vit nga një milion euro për të ashtuquajturin stadium “Has Arena”. Gjithsej ishin parashikuar tre milionë euro dhe në vitin 2024 ky projekt do të duhej të ishte përfunduar. Tani jemi në janar 2026 dhe ato tre milionë eurot janë avulluar diku, dhe në vendin ku parashihej të ndërtohej stadiumi ka vetëm kubëza dhe beton. Pothuajse çdo sferë e jetës është trajtuar kështu nga pushteti i Shaqir Totajt. Në ndriçim publik kurrë më shumë para nuk janë investuar, e për ironi kurrë më keq nuk ka qenë qyteti dhe fshatrat në këtë aspekt, terr total. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit lokale Totaj ishte akuzuar se projektet e ndriçimit ia jep djemve të të fortëve të PDK-së. Ai nuk e kishte mohuar e as pohuar një gjë të tillë, edhe pse e kishte mundësinë. Fatkeqësisht, si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes së ndriçimit publik dhe sinjalistikës rrugore, ka pasur edhe aksidente me fatalitet, siç ishte aksidentimi për vdekje i një të moshuari pak para balotazhit të zgjedhjeve lokale të tetorit të vitit të kaluar në rrugën “Ismajl Kryeziu”. Totaj këto vite ka improvizuar gjithçka: nga Unaza e Parë e Qytetit, në të cilën është ndërhyrë tri herë duke shkaktuar shpenzime enorme, e deri te rasti i blerjes së një shtylle të ndriçimit publik rreth 32 mijë euro copa. Kur u publikua ky fakt skandaloz, ish-drejtori i DSHP-së pati deklaruar me ironi se kjo është shtyllë “smart”, prandaj ka kushtuar shtrenjtë.
Menaxhimi jo i duhur i financave publike normalisht që ka edhe pasoja, e ato i vuan taksapaguesi prizrenas. P.sh., përderisa një komunë e vogël si Shtimja brenda një mandati ka arritur të ndërtojë katër çerdhe publike, komuna e Prizrenit e udhëhequr nga Shaqir Totaj nuk e ka ndërtuar asnjë. Disa janë në proces, edhe ato nga Qeveria e Kosovës, jo nga komuna. Apo, përderisa një komunë e vogël si ajo e Kamenicës (Dardana), e cila ka buxhet të limituar rreth 15 milionë euro, brenda mandatit të parë të kryetarit të saj 2021–2025, ka arritur të sigurojë sigurimet shëndetësore në çerdhet publike për fëmijët e kësaj komune, Shaqir Totaj në Prizren nuk po ua jep subvencionet as qytetarëve të prekur nga sëmundjet e rënda, e drejtë kjo që iu takon në bazë të rregulloreve komunale në fuqi.
Pra, nëse e kaluara është referencë për të ardhmen, atëherë ky mandat i Totajt për vitet 2025–2029 do të jetë edhe më i dëmshëm, do të karakterizohet me keqpërdorim edhe më të madh të resurseve dhe financave publike. Prizreni është në shënjestër të grupeve të interesit të PDK-së edhe për një arsye tjetër. Pas humbjes së Mitrovicës, e cila tani qeveriset nga Faton Peci që garoi nga radhët e LV-së, keqpërdoruesve, “të fortëve” të PDK-së, iu kanë mbetur vetëm Ferizaj dhe Prizreni nga qytetet e mëdha për ta zhvatur qytetarin dhe pronën publike të komunës, e cila është në rrezik tjetërsimi nga grupet e interesit të lidhura me PDK-në dhe LDK-në si partnere e saj qeverisëse në këtë mandat.
Andaj, në këtë mandat i cili sapo ka filluar, qytetarët aktivë, shoqëria civile dhe të gjithë ata që e duan një Prizren të zhvilluar dhe me ruajtje të trashëgimisë së tij, të cilën Totaj e ka dëmtuar, duhet të organizohen dhe të jenë vigjilentë, në mënyrë që të reagojnë për çdo parregullsi e keqpërdorim, përmes formave të reagimit qytetar dhe duke informuar edhe instancat tjera shtetërore, në mënyrë që ky pushtet ta ketë të pamundur marrjen e vendimeve të dëmshme e të paligjshme për komunën tone. Në rastin e parë që kjo ndodh, përgjegjësit duhet të japin llogari para qytetarëve dhe institucioneve kompetente, pa përjashtuar prokurorinë dhe gjykatat.
Shkruan: Selman SOKOLI – Asambleist i LVV-së në Prizren
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online














































