Lulet janë shumë të rëndësishme në shtëpi kur bëhet fjalë për një ambient të pastër dhe të mbushur plot oksigjen. Por shëndeti i tyre kërkon një kujdes të shtuar për ushqimet që kanë nevojë herë pas here, sasinë e dritës që i nevojitet apo edhe ajrosja.
Për të gjithë ju që ju pëlqejnë lulet dhe kujdeseni për to, e dini se ato kanë nevojë herë pas here edhe për sasi hekuri? Pasi hekuri përmirëson sintezën e klorofilit në bimë dhe lejon të kryhet procesi i duhur i fotosintezës.
Kjo është një lëndë që ju mund ta përftoni lehtësisht nga gozhdët e ndryshkura, ja si:
Në një enë më 1 litër ujë mund të shtoni një sasi të konsiderueshme gozhdësh të ndryshkura. Duhet ta përzieni mirë dhe ato duhen lënë të veprojnë në ujë për 5 deri në 6 ditë. Çdo ditë përziejeni në mënyrë që ndryshku të shkarkohet më mirë në ujë. Më pas me këtë sasi të përftuar ujitni lulet sipas nevojës së tyre.
Ose një mënyrë tjetër është vendosja e një shtrese me gozhdë të ndryshkura në fund të vazos dhe më pas vazhdoni dhe mbilleni lulen si normalisht.