A e dini se çfarë ndodh në trupin tuaj kur kërcisni dhëmbët?

0
89

Ndoshta e gjeni veten duke shtrënguar pa vetëdije nofullën gjatë momenteve stresuese, ndërkohë që jeni të fokusuar në aktivitete të caktuara, ose kjo ndodh kur ju flini gjumë gjatë natës. Një zakon i bezdisshëm, i cili nëse nuk trajtohet mund të çojë në një sërë simptomash të padëshirueshme. Për shumë njerëz kjo ndodh gjatë ditës. Megjithatë, shumica e dëmtimeve dhe shkatërrimit ndodhin gjatë natës.

Pse njerëzit i kërcasin dhëmbët?
Edhe pse faktorët psikologjikë, gjenetikë dhe fizikë mund të luajnë rol, shkaku nuk është ende plotësisht i qartë. Ekspertët e shëndetit besojnë se stresi dhe emocione të tjera të forta si zemërimi dhe zhgënjimi, si dhe lloji i personalitetit tuaj, luajnë një rol të rëndësishëm. Çdo dhëmb ka një nerv, dhe kur ushtroni presion mbi to në tru përçohet një sinjal lehtësimi ose “rekalsi”, por kjo mund të ketë të tjera pasoja të padëshirueshme në shëndet.

Faktorë të tjerë rreziku përfshijnë moshën, disa substanca dhe medikamente të caktuara, të tilla si ilaçet kundër depresionit, konsumi i duhanit dhe përdorimi i alkoolit.

Cilat janë efektet e padëshiruara?
Dhëmbët dhe mbushjet konsumohen më shpejt

Ka vetëm një rast kur dhëmbët tuaj duhet të prekin njëri-tjetrin, dhe kjo është kur jeni duke ngrënë. Kur nuk përtypni ushqim, dhëmbët tuaj nuk duhet të preken, në të kundërt ato do të konsumohen më shpejt.

Dhëmbët mund të bëhen të ndjeshëm
Dhëmbët mund të bëhen të ndjeshëm ndaj ajrit, ushqimeve të ftohta apo të nxehta.

Mund të ndjeni dhimbje në kokë dhe fytyrë
Disa nga muskujt që përdorni për të hapur dhe mbyllur gojën, apo për të përtypur ushqimin lidhen në artikulacionin i cili lidh nofullën me kafkën tuaj.

Kërcitja apo shtrëngimi i dhëmbëve shkakton presion në këtë artikulacion dhe si rezultat, ju mund të ndjeni dhimbje në nofull, fytyrë apo në kokë.

Ju nuk bëni gjumë të rehatshëm
Njerëzit që shtrëngojnë ose kërcëjnë dhëmbët gjatë gjumit kanë më shumë gjasa të kenë çrregullime të tjera të gjumit, si gërhitja ose apnea e gjumit. Kjo gjendje karakterizohet nga ndalimi dhe fillimi i frymëmarrjes për pak sekonda gjatë gjumit.

Si të ndaloni shtrëngimin e dhëmbëve?
Edhe pse për këtë shqetësim nuk ka kurë, ekzistojnë disa taktika që mund t’ju ndihmojnë të tilla si:
Mbajtja e këllefëve mbrojtës të dhëmbëve gjatë gjumit
Kjo metodë nuk e ndalon ose kuron këtë gjendje, por mbron dhëmbët nga kërcitja dhe konsumimi. Gjithashtu zbut simptomat të tilla si dhimbjet e muskujve të nofullës dhe fytyrës, dëmtimi i dhëmbëve etj. Ju mund t’i gjeni ato në farmaci ose t’i porosisni sipas formës së dhëmbëve tuaj tek dentisti.

Ndryshoni mënyrën e mbajtjes së gojës dhe nofullës
Për njerëzit që shtrëngojnë nofullën e tyre ndërsa janë zgjuar, ndërgjegjësimi për këtë zakon dhe më pas korrigjimi i sjelljes është i dobishëm. Sapo ndjeni tension në muskujt e nofullave, merreni atë si një shenjë për t’u çlodhur dhe për t’u qetësuar pak.

Reduktoni stresin
Stresi është një nga faktorët kryesorë, kështu që rekomandohet të angazhoheni në aktivitete për të reduktuar stresin. Rekomandohet meditimi, por edhe terapia për njerëzit me ankth.

Konsideroni medikamentet
Nëse keni dhimbje, të tilla si dhimbje koke dhe dhimbje në fytyrë, ju mund të merrni një ilaç anti-inflamator pa recetë, si ibuprofeni.
Dentisti juaj mund të rekomandojë gjithashtu relaksues të muskujve ose injeksione botoksi. Dhe nëse ndonjë nga medikamentet tuaja shkakton shtrëngim të nofullave si një efekt anësor, është mirë të pyesni mjekun tuaj për një rekomandim tjetër.

Bëni disa ndryshime në regjimin ushqimor
Ekziston një lidhje midis kërcitjes së dhëmbëve dhe pirjes së alkoolit, së duhanit dhe konsumimit të kafeinës. Kështu që mund të jetë e dobishme të reduktoni kafeinën dhe alkoolin para gjumit.
Gjithashtu shmangni çamçakëzin dhe konsumoni më tepër ushqime të buta në mënyrë që t’i jepni kohë muskujve për t’u rikuperuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here