Ja çfarë thotë shkenca
Vitet e fundit, diskutimet rreth asaj se kur duhet të merren medikamente për presionin e gjakut kanë krijuar interes të madh si te pacientët ashtu edhe te mjekët. Kjo nuk është për t’u habitur, pasi është një nga sëmundjet kronike më të zakonshme.
Një studim i madh i botuar në Revistën Evropiane të Zemrës, në vitin 2019, tregoi se njerëzit me presion të lartë të gjakut që merrnin ilaçet para gjumit kishin gjysmën e rrezikut të sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru në krahasim me ata që e merrnin atë në mëngjes.
Më shumë se 19.000 persona morën pjesë në këtë studim dhe u arrit në përfundimin se marrja e ilaçit në mbrëmje ndihmon për të kontrolluar më mirë presionin e gjakut gjatë natës, i cili është vendimtar për shëndetin kardiovaskular.
Megjithatë, një provë klinike më e fundit e publikuar në prestigjiozen “The Lancet” në 2022 i kundërshtoi këto gjetje, transmeton Telegrafi.

Shkencëtarët theksuan se pacientët duhet t’i marrin medikamentet e tyre në kohën më të përshtatshme për ta për të siguruar marrjen e rregullt.
Dr. Donald Lloyd-Jones i Universitetit Northwestern paralajmëroi se ndërsa disa njerëz mund të përfitojnë nga marrja e mjekimeve të tyre në mbrëmje, kjo varet përfundimisht nga modelet individuale të presionit të gjakut. Ai vuri në dukje se të kuptuarit kur presioni i gjakut rritet më shumë mund të ndihmojë në përcaktimin e kohës më të mirë për të marrë mjekim.
Nga ana tjetër, Dr. Luke Laffin i klinikës së njohur Cleveland sugjeroi që diuretikët (pilula uji që janë një nga përbërësit aktivë ose përbërësit kryesorë të disa ilaçeve për presionin e lartë të gjakut) duhet të merren përgjithësisht më herët gjatë ditës për të shmangur urinimin gjatë natës. Të gjitha llojet e tjera të ilaçeve për presionin e gjakut mund të merren në mbrëmje për të rritur efektivitetin e tyre gjatë gjumit.
Ekspertët rekomandojnë që të flisni me mjekun tuaj për situatën tuaj specifike për të përcaktuar kohën më të mirë për të marrë ilaçin për presionin e gjakut, bazuar në stilin e jetës tuaj, modelet e luhatjeve të presionit të gjakut dhe nevojat shëndetësore. /Telegrafi/