Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur për grevën e pezulluar në arsim dhe mundësinë që të rikthehet në janar sërish.
Ai tha se janë duke e pritur janarin, mirëpo shpreson që çështja e ligjit të pagave të zgjidhet deri atëherë.
“Jemi duke pritur janarin. Lajmet janë se ligji i pagave që ishte problemi kyç që i dërgoi të gjitha sindikatat në grevë, është aprovuar nga Qeveria dhe ka shkuar në parlament. Ka deklarata nga deputetët e pozitës se është hequr edhe neni ku thoshte se pas votimit në Gazetën Zyrtare duhet të pritet edhe 8 muaj për implementim”.
“Ne presim që qeveria dhe deputetët ta mbajnë fjalën, në procedurë të rregullt ta analizojnë dhe ta votojnë ligjin në dy leximet. Me një ligj të mirë të pagave, do të uleshin tensionet në tërësi dhe do të kishim një atmosferë krejtësisht tjetër. Edhe në kohët e kaluara, kryesisht ishte ligji i pagave ai që i dërgoi mësuesit në greva”, ka deklaruar Jasharaj.