A do të ketë së shpejti një takim ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit? Përgjigjet zëdhënësi i Bashkimit Evropian

0
199

Bashkimi Evropian tha sot se ka shpresë që këtë vit Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku, duke ngulur këmbë se ato janë të detyrueshme dhe se duhet të zbatohen në tërësi nga të dyja palët.

Ndër tjera, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se takimi i ardhshëm në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë në çdo kohë kur ka vullnet dhe kur ka një agjendë për të.

“Ne asnjëherë nuk spekulojmë për asnjë takim të radhës. Siç e thash puna në dialog është duke u zhvilluar dhe puna rreth dialogut vazhdon çdo ditë në nivele të ndryshme. Nëse do të ketë takim të nivelit të lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë ne gjithmonë do ta bëjmë publike disa ditë më herët. Teorikisht takimi është i mundshëm në çdo kohë kur ka vullnet për t’u takuar dhe kur ka një agjendë për të”, tha Stano.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të hënën në Bruksel se fillimi i zbatimit të marrëveshjes për targat këtë javë mes dy vendeve tregon se “kur ka vullnet nga palët, atëherë edhe përparimi është i mundur”.

“Puna në dialog vazhdon dhe fokusi është në implementim të asaj që është arritur pajtim në Bruksel dhe më pas në Ohër vitin e kaluar. E pamë në rastin e njohjes së targave të veturave se progresi është i mundur. Palët u pajtuan për zbatimin e vendimit për targat”, tha Stano.

Në lidhje me masat ndëshkuese që BE-ja i ndërmori ndaj Kosovës viti e kaluar, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit kur kryetarët shqiptarë u vendosën në zyrtarët e tyre në katër komunat me shumicë serbe pas zgjedhjeve të kundërshtuara dhe bojkotuara nga serbët lokalë, Stano tha se ato do të hiqen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here