Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte pritet të jetë një natë kritike për qarkullimin rrugor në vend, për shkak të uljes së ndjeshme të temperaturave që, sipas parashikimeve, mund të zbresin deri në –9°C.
Sipas tij, kontrasti i madh i temperaturave rrit rrezikun që rrugët e lagura nga reshjet e shiut të ngrijnë, duke e bërë qarkullimin më të rrezikshëm. Kurti bëri të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë të angazhuara në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.
Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit për sezonin dimëror, duke kërkuar që automjetet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë. Po ashtu, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës.
“Nëse qarkullimi është i domosdoshëm, atëherë vozitja duhet të jetë e kujdesshme dhe e përshtatur me kushtet atmosferike,” theksoi Kurti, duke shtuar se institucionet po bëjnë maksimumin për sigurinë e qytetarëve dhe kërkoi bashkëpunimin e tyre për të reduktuar rrezikun në rrugë.












































