6 mënyra si prindërit shkatërrojnë suksesin e fëmijëve të tyre

0
372

Sjellja prindërore ka një ndikim të madh në mënyrën se si fëmijët zhvillohen duke qenë mjaft të rëndësishëm në suksesin e tyre në të ardhmen.

Një studim nga “The Center for Parenting Education” zbuloi se fëmijët janë të ndikuar nga qëndrimi i prindërve, qoftë pozitivisht apo negativisht.

Sjellja prindërore është jetike, sepse parashikon se si fëmijët performojnë në fushën e zhvillimit psikosocial, performancës akademike, marrëdhënieve sociale dhe sjelljes ndaj problemeve.

Efektet e keq-prindërimit tek fëmijët

Sipas “Imperial Valley News”, hulumtimi ka vërtetuar se efektet e keq-prindërimit tek fëmijët përfshijnë sjellje antisociale, fleksibilitet të dobët, depresion dhe agresivitet.

Një tjetër studim i Departamentit të Edukimit në Mbretërinë e Bashkuar tregon efektet e keq-prindërimit që përfshijnë probleme në sjellje, aftësi të dobëta të përballimit të situatave dhe probleme të shëndetit mendor.

Vendimet e dobëta të prindërve mund të kenë një rezultat të dëmshëm gjatë fëmijërisë dhe më vonë.

Në këtë artikull BusinessMag ju njeh me gjashtë sjellje të zakonshme të prindërve, të cilat pengojnë suksesin e fëmijëve të tyre në jetë:

Të mos u kushtoni vëmendje të mjaftueshme

Pengu më i madh i prindërve sipas një studimi, ka të bëjë me faktin që në moshën e hershme të fëmijëve, ata kanë qenë duke kaluar shumë kohë në punë. Pra, të shpenzuarit më shumë kohë larg tyre, duke mos luajtur me ta.

Një tjetër hulumtim nga “Boston Medical Center” zbuloi gjithashtu se prindërit me smartfonë në duar priren të injorojnë fëmijët e tyre.

Disa prindër u kushtojnë pak ose aspak vëmendje fëmijëve të tyre. Disa prindër janë kaq të zënë për të ndërtuar karrierën dhe për të fituar para, sa ata tërësisht neglizhojnë dhe injorojnë fëmijët e tyre. Ata lënë kujdesin e tyre në duar të dadove, të cilat në shumicën e rasteve nuk kanë idenë më të vogël se si t’i edukojnë fëmijët siç duhet.

Lënia e fëmijëve nën kujdesin e dadove në fazën e tyre më delikate (fëmijëria) është një gabim i madh që disa prindër bëjnë.

Shumica e këtyre fëmijëve rriten pa udhëzime dhe drejtim të duhur dhe duhet të mësojnë për mënyrën e sjelljes nga moshatarët e tyre dhe nga mjedisi i jashtëm.Lajmi i keq është se shumica e këtyre sjelljeve të mësuara nga bashkëmoshatarët dhe mjedisi i jashtëm janë shpesh sjellje negative, që çojnë në një rrugë të gjatë që ndikon negativisht për jetën e mëvonshme.

Në rastet më të këqija, fëmijët abuzohen dhe kërcënohen në heshtje pa dijeninë e prindërve të tyre.

Të menduarit se një disiplinë e rreptë fetare do t’u japë fëmijëve vlerat e duhura

Shumë njerëz i luten Perëndisë që të bëjë për ta, atë që ata nuk mund të bëjnë për veten e tyre.

Shumë prindër besojnë se duke i angazhuar fëmijët e tyre që t’i luten Zotit çdo ditë është e mjaftueshme që ata të rriten mirë moralisht.

Por, e vërteta është se fëmijët kanë nevojë më shumë se lutjet dhe përfshirja fetare për t’u bërë të rritur të përgjegjëshëm.

Disa burime kanë zbuluar se shumica e fëmijëve të pastorëve kanë probleme me depresionin, ndërkohë që shumica prej tyre shpesh largohen nga besimi.

Shumë aktivitete fetare ndihmojnë vetëm që fëmijët të pretendojnë të jenë të mirë, por sapo të kenë mundësi, sidomos kur hyjnë në universitet dhe janë larg nga prindërit e tyre, bëhen të egër dhe dëshirojnë të kompensojnë të gjithë kënaqësinë që besonin se prindërit e tyre ua kishin privuar.

Kur disa prindër shohin një fëmijë që sillet keq, në vend që të ndërmarrin veprime të qëllimshme për të korrigjuar fëmijën, ata i drejtohen agjërimit dhe i luten Perëndisë për t’i ndihmuar që të rregullojnë fëmijën e tyre.

Aktivitetet fetare duhet të mbështeten nga disiplina e duhur dhe udhëzime për t’a bërë një fëmijë të bëhet një i rritur i përgjegjshëm në të ardhmen.

Të harruarit se veprimet e tyre flasin më shumë se fjalët
Disa prindër sillen keq, por presin sjellje të përsosur nga fëmijët e tyre. Një prind që bërtet, shan, pi cigare, konsumon drogë, pije alkoolike ose bëhet fizikisht agresiv, nuk duhet të presë që fëmija të veprojë si një shenjtor.

T’i mësosh një gjë dhe të bësh një tjetër i tregon një fëmijë se je i pasinqertë. Përveç kësaj, e bën fëmijën tuaj të besojë se gjërat që ju kërkoni që ata të bëjnë, nuk janë të rëndësishme.

Duke vëzhguar dhe imituar të tjerët, fëmijët mësojnë mënyra për të bashkëvepruar me shoqërinë. Ata mësojnë sjelljet e hijshme dhe të pahijshme.

Shembujt nga të rriturit, vëllezërit dhe motrat më të mëdhenj janë ndikimet më të fuqishme që formojnë sjelljen e fëmijës.

Fëmijët mësojnë duke kopjuar atë që bëjnë të tjerët. Nëse prindërit nuk e trajtojnë njëri-tjetrin në mënyrë të barabartë ose me respekt, fëmija do të zbulojë, mësojë dhe pothuajse me siguri do ta kopjojë këtë sjellje.

Nëse të rriturit bërtasin, janë të dhunshëm, diskriminojnë, atëherë fëmijët do të mësojnë dhe kopjojnë këtë lloj sjellje. Nëse të rriturit trajtojnë të tjerët me respekt, durim dhe dashamirësi, fëmijët do të ndjekin shembullin e tyre. Nëse babai dhe nëna e trajtojnë njëri-tjetrin me dashuri dhe respekt, fëmijët do të mësojnë, kopjojnë dhe me gjasë do ta përsërisin atë në marrëdhëniet e tyre kur të rriten.

Të rrisin fëmijën që duan, jo fëmijën që kanë

Të gjithë prindërit kanë ëndrra për fëmijët e tyre. Ato madje fillojnë para se gjinia e fëmijës të bëhet e ditur. Në fshehtësi, ata shpresojnë se fëmijët do të jenë si ata, vetëm se më të zgjuar dhe më të talentuar. Ata duan të jenë udhërrëfyesi i tyre, duke e vënë eksperiencën e tyre të jetës në përdorim të shkëlqyeshëm.

Shumë prindër detyrojnë fëmijët e tyre të ndjekin një rrugë për karrierën që ata dashurojnë, duke bërë që të braktisin karrierën për të cilën kanë dhunti dhe pasion të natyrshëm.

Ka arsye të ndryshme pse prindërit përpiqen të bëjnë këtë gjë. Shumë prindër përpiqen që fëmijët e tyre të studiojnë mjekësi, drejtësi, inxhinieri ose ndonjë degë tjetër që besojnë se do ta bëjnë fëmijën e tyre të suksesshëm në të ardhmen, edhe kur është e qartë që fëmijët nuk kanë dëshirë apo pasion për këtë gjë.

Sipas DailyMail, studiuesit kanë provuar se prindërit përpiqen të bëjnë realitet ëndrrat e tyre të dështuara personale duke u përpjekur që fëmijët e tyre të kenë sukses. Sipas hulumtimit, prindërit përpiqen indirekt të bëjnë realitet ëndrrat e tyre të parealizuara nëpërmjet fëmijëve të tyre.

Detyra e prindërve është të zbulojnë dëshirat dhe pasionet e tyre të natyrshme dhe t’i përgatisin fëmijët e tyre për atë rrugë.

Duke u imponuar ëndrrat fëmijëve tuaj nuk është ideale dhe vetëm do t’i çojë ata në frustrim dhe t’i bëjë mediokër në vende të tilla pune.

Vetëm kur prindërit t’i shohin fëmijët për atë që janë dhe t’i ndihmojnë të përgatiten drejt kësaj rruge, mund të ndikojnë në mënyrë efektive në jetën e tyre.

Të mbrojturit e fëmijëve nga dështimi

Asnjë prind nuk është i lumtur t’a shohë fëmijën e tij të mjerë apo të frustruar. Kjo është arsyeja pse shumë prindër bëjnë gjithçka që munden për të mbrojtur fëmijët e tyre nga pengesat dhe dështimet. Gjithmonë mbrojtja e një fëmije nga shqetësimi dhe dështimi nuk është një ide e mirë.

Nëse një fëmijë nuk është i edukuar për të pranuar dështimin, ai nuk do të mund të përballojë stresin kur të rritet.

Pak zhgënjim ndonjëherë mund të jetë në përfitim të fëmijës suaj, për aq kohë sa i mësoni se si të përballojë dështimin.

Një fëmijë që nuk është përgatitur të jetë i aftë në menaxhimin e pengesave, ka gjasa që të jetë patetik dhe të dorëzohet gjithmonë përballë presionit. Çdo fëmijë duhet të pranojë se dështimi nuk është një gjë e tmerrshme, me kusht që të japë përpjekjet e tij më të mira.

Prindërit normalisht shfaqin këto sjellje mbrojtëse me qëllime të mira, por këto qëndrime shkaktojnë një rrugë të gjatë që ndikon negativisht në suksesin e fëmijës kur ata gjejnë veten në situata ku duhet të ngrihen për veten e tyre.

Mungesa e besimit

Sipas një studimi të Universitetit Princeton, 40% e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara jetojnë me frikë ose mosbesim ndaj prindërve të tyre. Kjo frikë dhe mosbesim do të shndërrohet në sfidë, agresivitet dhe hiperaktivitet teksa rriten.

Kur një prind zakonisht i jep një premtim një fëmije, por nuk e përmbush atë premtim, fëmija mund të mendojë se prindit nuk mund t’i besohet, pasi ai nuk i realizon ato që premton.

Nëse një prind vazhdimisht i tregon një fëmije që mund të vijë tek ai dhe të flasë për ndonjë gjë, por pastaj ai vepron me zemërim kur fëmija i thotë diçka që ai nuk dëshiron ta dëgjojë, fëmija me siguri nuk do të ndihet mirë dhe do të mendojë se prindit nuk i besohet dhe herën tjetër nuk do t’i tregojë kur ndodh diçka e rëndësishme.

Kjo mungesë besimi mund të nënkuptojë që fëmija më parë do të diskutojë çështje të rëndësishme me miqtë sesa të rrezikojë zemërimin e prindërve.

Kjo mungesë besimi mund ta pengojë fëmijën nga besimi i kujtdo në të ardhmen. Nëse kjo ndjenjë mosbesimi rritet me fëmijën, mund të çojë në probleme psikologjike.

Kjo do të ndikojë në marrëdhëniet e fëmijëve në të ardhmen, si në biznes, në familje dhe në jetën sociale.

Lajm i mirë është se ju ende keni aftësinë për të ndërtuar besimin me fëmijën tuaj sot. Ndiqni këto hapa të thjeshtë për të ndërtuar hap pas hapi marrëdhëniet me fëmijët tuaj, duke përfshirë praktikimin e asaj që predikoni, duke mësuar të dëgjoni, gjithmonë duke i thënë fëmijës suaj të vërtetën, duke vlerësuar ndershmërinë e fëmijës tuaj, duke përmbushur premtimet tuaja, duke u përmbajtur kërcënimeve tuaja dhe duke qenë në përputhje me rregullat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here