Kosova ka importuar 5.6 miliardë euro mallra gjatë vitit 2022 ndërsa ka eksportuar mallra në vlerë 869 milionë euro.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu tha se Kosova ka importuar mallra rreth një miliardë më shumë krahasuar me 2021.
Ndërsa Turqia është vendi nga i cili Kosova importon më së shumti.
Llugaliu theksoi se Kosova gjatë vitit 2022 importoi mallra nga Serbia rreth 370 milionë euro.
Drejtori i Doganës tha se është e rëndësishme që të kuptohet sasia që zënë në treg mallrat serbe krahasuar me vlerën e importit.
Ai gjithashtu lavdëroi punën e doganës dhe aksionet ndaj ekonomisë jo formale.
“Si tregues shumë te rëndësishëm në luftimin e ekonomisë joformale janë aksionet që kanë qenë rreth 11 mijë aktivitete të ndryshme ”- tha ai.
Llugaliu në konferencën për media theksoi se Kosova ka mbledhur 154 milionë më shumë të hyra se vitin 2021.