Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë të dyshuarit, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i dhunës në familje është raportuar dje në Suharekë, ku një grua ka deklaruar se i biri disa ditë më parë ka ushtruar dhunë ndaj saj.
Burimet brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje për Sinjalin nga dëshmia e viktimës, e cila ka deklaruar se 38-vjeçari ditën që ka dalë nga paraburgimi dhe është kthyer në shtëpi, e ka sulmuar fizikisht duke i kërkuar llogari se kush e kishte dërguar në burg.
Sipas 64-vjeçares, përpos dhunës ndaj saj, i dyshuari ka demoluar edhe orenditë shtëpiake dhe e ka kërcënuar.
Viktima ishte frikësuar që ta denoncojë rastin ditën që ka ndodhur dhe e njëjta ka ikur nga shtëpia.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale ‘Kanosje’, ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Dëmtim prone’./Gazeta Sinjali/