Komuna e Prizrenit, përmes Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka vazhduar sot me fazën e dytë të projektit “Furnizimi me mekanizëm bujqësor – me bashkëfinancim”, në kuadër të mbështetjes së drejtpërdrejtë për fermerët e komunës.
Në këtë fazë janë ndarë pajisje bujqësore për 62 fermerë përfitues, nga numrin e përgjithshëm i përfituesve – 333 fermerë. Në fazën e parë janë shpërndarë 155 mjete bujqësore, ndërsa faza e tretë pritet të realizohet së shpejti.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se përkrahja ndaj fermerëve është ndër prioritetet kyçe të qeverisjes lokale, me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe rritjes së prodhimit vendor.

“Jemi të përkushtuar që ta vazhdojmë përkrahjen për fermerët tanë në mënyrë të vazhdueshme. Bujqësia është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik dhe çdo investim në këtë sektor është investim në mirëqenien e qytetarëve” – deklaroi Totaj.
Pajisjet e shpërndara përfshijnë: motokultivatorë, pjatore me disqe, trina, mbjellëse për misër dhe grurë, pllugje dhe atomizerë, të cilat do ta lehtësojnë dhe përmirësojnë punën e fermerëve.
“Projekti i bashkëfinancimit për pajisje bujqësore është model që po jep rezultate konkrete. Përmes kësaj forme, jo vetëm që ndihmojmë fermerët me pajisje moderne, por edhe nxisim pjesëmarrjen e tyre aktive në zhvillimin e ekonomisë rurale” – shtoi Kryetari Totaj.
Komuna e Prizrenit mbetet e përkushtuar që të ofrojë mbështetje të qëndrueshme për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ndërsa paralajmërohet se faza e tretë e projektit do të realizohet së shpejti, duke e kompletuar ciklin e këtij investimi të rëndësishëm për vitin 2025.